Krujë/ E para qendër me shërbime të integruara socio-shëndetësore

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka inspektuar punimet e qendrës shëndetësore Krujë, e cila po rehabilitohet në kuadër të programit të 300 qendrave shëndetësore. E shoqëruar nga deputetët e Krujës, Manastirliu u shpreh se kjo qendër do të ofrojë shërbimet e para të integruara socio-shëndetësore për 15 mijë banorët e Krujës.

“Pas përfundimit të fazës së parë të 80 qendrave shëndetësore në gjithë Shqipërinë tashmë kemi filluar me fazën e dytë të rehabilitimit të 100 Qendrave për këtë vit, ku zbatimi ka filluar dhe sot po e shohim se si në këtë qendër që do t’i shërbejë 15 mijë banorëve të Krujës kanë filluar punimet dhe do të ketë shërbimet e para të integruara socio-shëndetësore. Duke përfshirë jo vetëm shërbimin shëndetësor me të gjithë kabinetet specifike por edhe shërbimet e kujdesit shoqëror, duke përfshirë këtu edhe shërbimet për personat me aftësi të kufizuara apo personat me nevoja të veçanta”, tha Manastirliu.

Manastirliu nga Kruja bëri me dije se ka filluar ndërtimi i 100 qendrave të tjera shëndetësore në të gjithë vendin, duke e konsideruar punën në kujdesin parësor si gurin e themelit të shëndetësisë.

“Sigurisht që puna duhet të ecë më shpejt, ndaj jemi këtu për të premtuar që brenda 2019 përfundojmë dhe 100 qendra të tjera shëndetësore dhe ambulanca në të gjithë vendin. Të punosh për kujdesin parësor është të punosh për gurin e themelit të kujdesit shëndetësor”, u shpreh ministrja.

z.tosku/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.