Nga Suedia, Norvegjia, Franca, Gjermania, Irlanda e Kina, mesazhet e turistëve për Shqipërinë

TIRANË, 28 korrik/ATSH/- Nga Suedia, Norvegjia Franca, Gjermania, Irlanda e Kina, turistët ndajnë përshtypjet e tyre për natyrën e mrekullueshme, historinë e kulturën, si dhe mikpritjen tradicionale shqiptare që përcillet nga të rinjtë e Smile Albania.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ka publikuar një video me përshtypjet e turistëve të huaj të cilët mirëpriten nga të rinjtë e “Smile  Albania”.

“Ne vijmë nga Suedia. Vizituam Shqipërinë dhe do të kthehemi sërish këtu”, u shprehën një grup turistësh nga vendi nordik.

Një turiste nga Kina tha se e ka shijuar shumë eksperiencën shqiptare. “Shqipëria është një vend shumë i bukur dhe fantastik. Shpresoj që njerëzit e vendit tim të vijnë dhe të shijojnë miqësinë me këto njerëz dhe pamje të mrekullueshme”, u shpreh turistja kineze.

“Vitin që kaloi, kaluam nga Shqipëria për në Greqi. Na pëlqeu aq pak sa pamë dhe vendosëm të ktheheshim për të vizituar nga veriu në jug. Kemi ngelur të mahnitur nga ajo që kemi vizituar”, tha një çift turistësh nga Franca.

“Ne jemi nga Irlanda, kemi udhëtuar nëpër Shqipëri 2 javë. Ajo që mund t’ju them është se njerëzit janë fantastik, vendet janë të mrekullueshme dhe çdo njeri duhet të vijë dhe të përjetojë një eksperiencë që ndodh një herë në jetë”, u shprehën turistët nga Irlanda.

Ndërsa turistë nga Gjermania u shprehën se “na pëlqen gjithçka në Shqipëri. Kështu është super. Ne do kthehemi sërish këtu në Shqipëri”, tha vajza nga Gjermania.

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.