GJERMANI – Berlini ende i pavendosur për misionin detar në ngushticën e Hormuzit

BERLIN, 28 korrik /ATSH-AA/ – Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Heiko Maas, ka deklaruar se vendi i tij ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për t’u bashkuar me koalicionin ndërkombëtar të propozuar nga Britania e Madhe për të mbrojtur anijet tregtare që lundrojnë nëpër ngushticën e Hormuzit.

“Ne jemi në kontakt me qeverinë e re të Britanisë së Madhe në mënyrë që të mësojmë se cili do të jetë pozicioni i saj. Megjithatë, procesi i planifikimit ende është në një fazë shumë të hershme”, tha kryediplomati gjerman në një intervistë me grupin mediatik “Funke”.

Maas tha se “vendimi nëse Gjermania do të bashkohet me një mision të tillë ndërkombëtar do të merret pasi Berlini do të marrë një mendim të qartë se si ky mision do të duket”.

Mediat lokale raportuan dje se Maas informoi komitetin e çështjeve të jashtme të Parlamentit gjerman rreth qëllimit të qeverisë për t’u bashkuar me koalicionin ndërkombëtar të propozuar nga Britania e Madhe. Qeveria gjermane duhet të marrë miratimin parlamentar për të dërguar anije detare në zonën e Gjirit.

Të hënën, Britania e Madhe bëri thirrje për një mision detar të udhëhequr nga Europa për të garantuar kalimin e sigurt në zonën e Gjirit, pas kapjes së një naftëmbajtëseje britanike javën e kaluar nga Irani. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.