Xhamitë e Shqipërisë, 6.5 milionë lekë për banesat e prekura nga tërmeti në Floq

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo vizitoi fshatin Floq të prekur nga tërmeti i kohëve të fundit, së bashku me kryetarin e Komunitetit Musliman Bujar Spahiu.

Ndërsa në fshat ka nisur puna për ndërtimin e banesave të dëmtuara, Filo tha se 6.5 milion lekë është vlera që xhamitë e Shqipërisë do të dhurojnë në ndihmë të familjeve të prekura nga tërmeti.

“Të gjithë së bashku jemi të angazhuar për të ndihmuar banorët e Floqit, deri në momentin që ata do të vendosen në shtëpitë e tyre”, tha Filo.

Në Floq të Korçës, Janë 124 banesa të cilat janë vlerësuar si të pabanueshme dhe që janë parashikuar të ndërtohen plotësisht. Tashmë ka nisur puna për ndërtimin e 40 banesave të para.

Krahas fshatit Floq, paralelisht do të punohet për rindërtimin e banesave edhe në dy fshatrat e tjerë të qarkut Korçës, të cilat janë dëmtuar gjatë lëkundjeve të tërmetit të rënë disa javë më parë. /j.p/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.