Sarandë, Basha: 30 qershori jokushtetues, çdo produkt i tij është nul

TIRANË, 26 korrik /ATSH – I. Vata/ – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi sot gjatë takimit me strukturat e partisë në Sarandë, se zgjedhjet e 30 qershorit janë të paligjshme, dhe si të tilla çdo produkt i tyre është nul dhe antikushtetues.

“Më 10 qershor, i vetmi institucion që dekreton zgjedhjet, Presidenti i Republikës, e anuloi si datë, caktoi një datë tjetër. I vetmi institucion që mund ta gjykojë është Gjykata Kushtetuese. Ndaj 30 qershori është nul. Nuk ka prodhuar dhe s’mund të prodhojë asnjë rezultat të ligjshëm”, – deklaroi Basha.

Po ashtu Basha shtoi se në këto kushte, për Partinë Demokratike dhe opozitën e bashkuar ka vetëm një objektiv: “Vendosmëri të plotë dhe me qartësi për objektivin që kemi përcaktuar: zgjedhje të parakohshme parlamentare, në një ditë me zgjedhje kushtetuese lokale, me një qeveri tranzitore, pa Edi Ramën kryeministër. Dhe me nxjerrjen para drejtësisë, të të gjithë personave që janë kapur duke vjedhur zgjedhjet e shqiptarëve, siç e kanë mësuar tashmë gjithë bota”, – tha ai. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.