Konfirmohet në detyrë kandidati për SPAK, prokurori Klodian Braho

TIRANË, 26 korrik/ATSH/- Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë, prokurorin e Krimeve të Rënda, Klodian Braho.

Braho është përzgjedhur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë si kandidat për anëtar i SPAK-ut. Ai është radhitur i gjashti sipas pikëzimit në listën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion.

Braho u përball me trupin gjykues të KPK për tre kriteret e procesit të Vetingut, pasurinë, profesionalizmin dhe integritetin.

Klodian Braho ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitet 2005-2008 dhe më pas është emëruar prokuror në Berat.

Në vitin 2012, Braho u transferua në Prokurorinë e Vlorës ku mbajti edhe postin e zv.drejtuesit, ndërsa në vitin 2015 u dekretua në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Paralelisht me punën si prokuror, Braho është angazhuar edhe në mësimdhënie apo si ekspert në Shkollën e Magjistraturës.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.