Adresim sistematik informalitetit, rivendosje në ligjshmëri të bizneseve që cenojnë konkurrencën dhe shtetin

TIRANË, 26 korrik/ATSH-Maela Marini/ “Operacioni kundër informalitetit, nuk është një plan aksion për muajt korrik dhe gusht, por një qasje e re, për të adresuar sistematikisht dhe në çdo ditë informalitetin në sektorët e biznesit”.

Në një intervistë për ERTV, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj tha se “nga 1 korriku, vetëm në sektorin e turizmit, janë kryer 1173 verifikime në terren dhe janë konstatuar 417 shkelje”.

Denaj dha detaje për planin operacional kundër informalitetit, i cili sipas saj, “kërkon të fusë në rrugën e ligjshmërisë subjektet e paregjistruara në organet tatimore”.

“Ky është një plan në vijim të punës që ka bërë administrata tatimore dhe doganore por që ka nevojë për përmirësim. Në tremujorin e parë të këtij viti ne rishikuam gjithë procedurat tona të brendshme dhe strukturat e administratës tatimore dhe në matricën e riskut evidentuam që një kryqëzim më i mirë informacioni na coi në disa informata për të cilat ndërtuam një plan operacional”, tha ajo.

Sipas ministres, “plani filloi me një proces monitorimi dhe ndërgjegjësimi”. “I pari në fokus ishte sektori i turizmit dhe hotelerisë, administrata bëri një monitorim dhe ndërgjegjësim të gati 1200 subjekteve. Kjo kishte të bënte më marrjen në telefon të 1200 subjekteve të cilat nga matrica e riskut dilnin që kishin mundësi për një evazion, duke i njoftuar ato që ne konstatojmë një problem dhe nëse shohim që ky problem do të vijojë, ne do të vijmë për kontrolle”, tha Denaj.

“Në muajin korrik ishte procesi i dytë që pasoi procesin e ndërgjegjësimit. Pra nuk është një proces që ka nisur në muajin korrik por që në fillim të vitit, por kuptohet që intensifikimi i tij ka elemente të shtuara pas rezultateve të 6 mujorit të parë ku pamë disa tregues si fakti që kemi një minus në krahasim me planifikimin, kuptohet që në krahasim me vitin e kaluar jemi pozitiv, por në disa sektorë, veçanërisht TVSH-ja bruto nuk korrespondon ulja që ka sektori, me rritjen që ka sektori vetë në raport me rritjen ekonomike. Dhe ky kryqëzim informacioni na çoi të jemi më të fokusuar”, theksoi Ministrja e Financave.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.