Në vjeshtë nis rikonstruksioni i konvikteve jashtë Tiranës

TIRANË, 25 korrik/ATSH/-Modeli i rikonstruksionit të konvikteve të zbatuara në Tiranë do të nisë aplikimin në vjeshtë edhe në qytete të tjera, ku ka prani të universiteteve dhe konvikteve.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini gjatë një takimi të zhvilluar me studentë praktikantë pranë administratës Publike. Ndërsa vlerësoi partneritetin me bashkinë e Tiranës, ministrja tha se investimi do të shtrihen edhe për studentët e qyteteve të tjera, duke u siguruar atyre infrastrukturën e duhur mësimore.

“Bashkia Tiranë ka marrë përsipër të rikonstruktojë të gjithë konviktet. Tani një pjesë e madhe e godinave është rikonstruktuar, pjesa tjetër po presim të lirohen nga studentët gjatë verës në mënyrë që të rikonstruktohen edhe ato. Modelin e Tiranës e kemi marrë dhe po e zbatojmë edhe në qytete të tjera, ku ka universitete dhe konvikte. Kështu që, në vjeshtë do të fillojë edhe rikonstruksioni konvikteve të tjera nëpër qytete ku ka universitete”, -tha Shahini.

Më tej, ajo tha se është punuar për një plan ambicioz për modernizimin e gjithë infrastrukturën universitare.

“Një pjesë e madhe e kërkesave të studentëve ka të bëjë me infrastrukturën, me laboratorë, me vendin ku shkojnë për të bërë punët laboratorike dhe detyrat e kursit. Kjo na ka shtyrë ne që ti identifikojnë të gjitha nevojat dhe t’i prioritizojmë qysh tani. Kështu që kemi një plan shumë ambicioz por me bujarinë e koleges time, ministres së Financave, kemi ndërtuar planin, mjaftueshëm të detajuar që të jemi të sigurt që do të arrijmë të prekim secilin kampus të universiteteve publike dhe për disa vite të ardhshme ne do të modernizojmë plotësisht të gjithë infrastrukturën universitare. Kjo është pjesa që mund ta bëjmë ne, pjesën tjetër duhet ta bëjnë universitetet që ka të bëjë me cilësinë e produktit akademik, ka të bëjë me integritetin e kërkimit shkencor dhe këtë pjesë duhet ta bëjmë bashkarisht. Ne na duhen gjithmonë partnerë që ti mbajmë të përgjegjshëm drejtuesit e universiteteve edhe pedagogëve që të bëjnë pjesën e vet dhe me të vërtetë jo vetëm të përmirësojmë eksperiencën studentore në Shqipëri por edhe cilësinë e Arsimit”, -tha ndër të tjera Shahini. z.tosku/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.