Miratohet shpronësimi për interes publik i pronës së prekur nga projekti i risistemimit në Lushnjë

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Këshilli i Ministrave vendosi në mbledhjen e sotme shpronësimin për interes publik të pronarit të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Sistemim i bllokut të banimit në lagjen “Xhevdet Nepravishta”, kufizuar me rrugën “Ahmet Zogu”, rrugën “Misto Mame” dhe shëtitoren “Kongresi”, Lushnjë”.

Vendimi është marrë në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, dhe të ligjit “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

Shpronësimi të bëhet në favor të shtetit, përfaqësuar nga Bashkia Lushnjë.

Pronari i pasurive të paluajtshme, që shpronësohet, për pasuritë e llojit “truall” dhe “ndërtesë”, të kompensohet në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, me vlerë të përgjithshme prej 2 754 738 (dy milionë e shtatëqind e pesëdhjetë e katër mijë e shtatëqind e tridhjetë e tetë) lekësh.

Vlera e përgjithshme e shpronësimit, në masën 2 754 738 (dy milionë e shtatëqind e pesëdhjetë e katër mijë e shtatëqind e tridhjetë e tetë) lekë, të përballohet nga fondet e Bashkisë Lushnjë.

Shpenzimet procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2019, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren Zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të tij.

Pronari të kompensohet, për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur dokumentacionin justifikues pranë Bashkisë Lushnjë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.