Meta: OSBE të ndërmjetësojë për zgjidhjen e krizës politike në vend

TIRANË, 25 korrik/ATSH/ Presidenti Ilir Meta i kërkoi sot Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së, Thomas Greminger, ndërmjetësimin sa më parë të jetë e mundur midis palëve politike në vend për zgjidhjen e krizës politike në vend.

“Rruga e vetme është dialogu politik gjithëpërfshirës dhe i sinqertë që i jep zgjidhje të plotë e përfundimtare kësaj krize”, tha Meta, gjatë takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Thomas Greminger.

Presidenti Meta e falenderoi për mbështetjen e dhënë nga Sekretariati dhe nga vetë Sekretari i Përgjithshëm, për përgatitjet që Shqipëria po bën në funksion të marrjes së Kryesisë së Radhës së OSBE-së në vitin 2020.

“Kjo është sipërmarrje madhore, që kërkon angazhimin dhe bashkëpunimin e të gjithë faktorëve politikë dhe institucionalë në vend”, – theksoi Presidenti Meta.

Sipas tij, “OSBE ka një rëndësi të posaçme për sigurinë euroatlantike dhe për Shqipërinë në veçanti. Është organizata e parë shumëpalëshe në të cilën Shqipëria aderoi pas rënies së komunizmit dhe që ka dhënë mbështetje të vazhdueshme për forcimin e demokracisë dhe shtetit ligjor në vendin tonë”.

“Për rivendosjen e funksionimit normal të institucioneve demokratike dhe shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës mjaft kritike ku ndodhet vendi, është në interes të kredibilitetit të OSBE, të angazhohet për tejkalimin e krizës së rëndë në Shqipëri sa më parë të jetë e mundur”, tha Meta.

Ky angazhim, sipas tij, “do të shërbejë si mundësi tepër e rëndësishme për rikthimin e vendit në shinat e demokracisë dhe sundimit të ligjit, por dhe konsolidimit të lidershipit të Shqipërisë si faktor stabiliteti në rajon, gjatë marrjes së Kryesisë së Radhës së OSBE, por edhe së ardhmes europiane të Shqipërisë, për më tepër kur presim që në 17-18 tetor Këshilli i Bashkimit Europian të vendosë për çeljen e negociatave të anëtarësimit”.

“Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme dhe konkrete që kam ndërmarrë deri tani për parandalimin e kësaj situate, përpjekje që janë minuar nga aktorë të ndryshëm, jam edhe më i bindur tani se rruga e vetme është dialogu politik gjithëpërfshirës dhe i sinqertë që i jep zgjidhje të plotë e përfundimtare kësaj krize”, – deklaroi Presidenti Meta./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.