Laboratorët e diagnostikimit të parazitëve kalojnë në varësi të Ministrisë së Bujqësisë

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Këshilli i Ministrave vendosi sot kalimin, nga varësia e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë (Universiteti Bujqësor, Tiranë) te Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, të laboratorëve të diagnostikimit të parazitëve të Departamentit të Mbrojtjes së Bimëve, pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës, të tokës bujqësore, trojeve, godinave dhe objekteve të tjera të ndërtuara mbi to, si dhe kalimin kapital të pasurisë tjetër shtetërore të luajtshme.

Kalimet të bëhen duke iu referuar vlerave në bilancin kontabël në datën e dorëzimit dhe marrjes në dorëzim. Dorëzimi dhe marrja në dorëzim bëhen nga një komision i përbashkët, i ngritur nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (Universiteti Bujqësor, Tiranë) dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Me të njëjtën procedurë, të dorëzohen edhe arkivat shkencorë, financiarë si dhe çdo dokumentacion tjetër arkivor.

Laboratorët e diagnostikimit të parazitëve të Departamentit të Mbrojtjes së Bimëve organizohen në Sektorin e Shëndetit të Bimëve, në Departamentin e Mbrojtjes së Bimëve (DMB) pranë Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV), Tiranë, në varësi të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si qendër reference kombëtare për problemet që lidhen me mbrojtjen e bimëve.

Departamenti i Mbrojtjes së Bimëve pranë ISUV-it ka për detyrë:

  1. a) të monitorojë parazitët karantinorë, të përcaktojë statusin e tyre, metodat e kontrollit karantinor dhe të njoftojë ministrinë;
  2. b) të bëjë diagnostikimin dhe prognozë-sinjalizimin e parazitëve, duke përcaktuar edhe masat e kontrollit të tyre;
  3. c) të bëjë provat biologjike-agronomike të PMB-ve gjatë procedurës për regjistrimin e tyre, kur kërkohet një gjë e tillë;

ç) të hartojë praktikat e mira të mbrojtjes së bimëve dhe kriteret e mbrojtjes së integruar;

  1. d) të hartojë kriteret e përgjithshme dhe procedurat për miratimin e laboratorëve të kontrollit të mbrojtjes së bimëve;
  2. dh) të bëjë vlerësimin e laboratorëve të kontrollit, me qëllim miratimin e tyre si laboratorë të miratuar për kryerjen e analizave të kontrolleve zyrtare;
  3. e) të bashkërendojë punën dhe të japë mbështetjen, përfshirë trajnimet dhe shërbime të tjera për veprimtaritë laboratorike, për standardet teknike dhe mënyrat e analizave që ato kryejnë;

ë) të organizojë teste paralele të mostrave të standardizuara dhe marrjen pjesë në to, në nivel kombëtar e ndërkombëtar, për monitorimin e kualifikimit të laboratorëve të miratuar të kontrollit;

  1. f) të garantojë përdorimin e një sistemi të brendshëm, në përputhje me standardet e kërkuara nga laboratorët e miratuar të kontrollit.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin Bujqësor të Tiranës për zhvillimin e praktikave mësimore nga ana e studentëve të tij në mënyrë të përhershme pranë këtyre laboratorëve. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.