KLP miraton caktimin e përkohshëm të drejtuesit të prokurorisë Përmet, Asllan Bajramaj

TIRANË, 25 korrik /ATSH – I. Vata/ – Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zhvilluar sot mbledhjen me përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, EURALIUS/OPDAT si dhe vёzhgues tё tjerё tё akredituar për miratimin e një sërë projektaktesh për emërimin e përkohshëm dhe rivlerësimin e prokurorëve.

Në mbledhjen e sotme, KLP vendosi me 7 vota pro caktimin e përkohshëm në detyrën e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Shkallës së Parë Përmet të Asllan Bajramajt, pas shkarkimit sot nga KPK të drejtuesit të Prokurorisë së Përmetit, Hysen Keta.

Po ashtu, KLP miratoi me 7 vota pro projektaktin e vlerësimit, në kuadër të rivlerёsimit kalimtar për prokurorin Arens Çela, raport i cili i kalon menjëherë KPK dhe OMN.

Gjithashtu, KLP miratoi me 7 vota pro projektaktin e vlerësimit, në kuadër të rivlerёsimit kalimtar për prokurorin Kleanthi Zeka, raport i cili i kalon menjëherë KPK dhe OMN.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.