FOTO/ Nis “MIK Festival” mes magjisë së Korçës dhe artit

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ – “MIK Festival” hapi mbrëmjen e djeshme edicionin e dytë në qytetin e Korçës. Një festival, që bën bashkë artistë shqiptarë dhe të huaj, duke sjell për publikun një program të pasur.

Me ideatore dhe drejtore artistike sopranon e njohur Inva Mula, nata e parë e festivalit iu kushtua një familjeje të talentuar, të cilët i janë përkushtuar muzikës për breza me radhë, familjes Papadhimitri. Për publikun, ishte një natë me muzikë të zgjedhur, e paharruar nën tingujt e violinës dhe pianos.

Në netët e festivalit, virtuozi Kostandin Tashko sjell një koncert recital në piano, “Nata Vjeneze” vjen nesër në mbrëmje, ku do interpretojnë Orkestra Filarmonike “Ibrahim Madhi”, Helge Dorsch- dirigjent, Miriam Tola -soprano, Eleva Shemai – mezzo soprano, Fatjon Mesiti- bariton, ansambli “Skënderbeu” si dhe Enada Hoxha dhe Gerd Vaso.

Koncerti “Inva Mula & New Friends” do të jetë në datën 27 korrik, tek Pazari i Korçës dhe do të performojë Dj Tchako deri në mesnatë për të gjithë pjesëmarrësit. Koncerti “Didone Abbandonata” në Kishën e Shën Gjergjit në Shipskë do të jetë më 28 korrik me Abigeila Voshtina- violinë dhe Jusuf Beshiri -klaviçebal.

Për publikun vjen dhe nata e serenatave, ku rreth 50 artistë do të përfermojnë në pazarin vjetër të Korçës. “Nata Spanjolle” do të kthejë sonte në mbrëmje pazarin e Korçës në shekullin e XIX. Për publikun do të performojë grupi Carol Margado shfaqjen e tij “Bordoneo”, ku flamengo dhe kultura spanjolle do të vijnë në Korçë.

Festivali i muzikës internacionale në Korçë (MIK) për pesë net nga data 24 deri në 28 korrik do sjelli për publikun mbi 80 artistë. Përgjatë këtyre netëve do të ketë një larmishmëri aktivitetesh me natyrë kulturore dhe artistike si muzikë klasike, DJ, performancë nga Inva Mula dhe miqtë, “Nata Spanjolle”, “Nata Austriake”, serenata, balet, etj. /a.a/

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.