Biznesi mbështet planin e qeverisë kundër informalitetit

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Përfaqësues të biznesit, zhvilluan të enjten një interpelancë me ministren e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, Drejtoreshën e Tatimeve Delina Ibrahimaj dhe Drejtorin e Doganave Arlind Gjokutaj, në kuadër të zbatimit të planit operacional për luftën kundër informalitetit.

Luan Bregasi, kreu i Biznes Albania, në fjalën e tij shprehu mbështetjen e fuqishme të biznesit në luftën kundër informalitetit dhe inkurajoi Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë në angazhimin e planit të qeverisës për ekonomi formale në vendin tonë.

Duke cituar kryeministrin Edi Rama, Bregasi tha se “nuk ka njerëz të korruptuar, por sisteme të korruptuar”, ndaj vijoi ai, “biznesi e përkrah dhe do të bashkëpunojë në luftën kundër evazionit fiskal dhe ekonomisë informale”.

Ministrja Denaj vuri në dukje se, plani operacioni në luftën kundër informalitetit është dizenjuar në muajin prill të këtij vitit. “Ky plan do të vijojë përgjatë gjithë vitit dhe është përpjekje për të mbështetur biznesin e ndershëm të eci përpara me rregullat e konkurrueshmërisë dhe në zbatim të ligjit” – tha ajo.

Denaj shpjegoi se, gjatë kësaj periudhe në fokus të kontrollit kanë qenë 453 subjekte në sektorin e ndërtimit, 273 biznese të akcizës dhe 1200 biznese që operojnë në sektorin e hotelerisë, ndërsa plani operacional do të shtrihet në vijim edhe në fusha të tjera të ekonomisë.

“Ky plan synon fomalizimin e biznesit në shkallën më të lartë dhe ky proces kryhet me sukses në bashkëpunim me ju”, – tha Denaj duke iu drejtuar përfaqësuesve të biznesit të pranishëm në interpelancë.

“Ne kemi kapacitet njerëzore dhe sisteme të kontrollit të mjaftueshëm për të kryer kontrolle.  Kemi krijuar një Komitet me aktorë nga të gjitha institucionet e linjës, që përmes takimeve periodike, bëjmë organizimin e koordinuar për monitorimin e situatës në çdo drejtim”, – tha Denaj.

Ndërsa Drejtoresha e Tatimeve, Ibrahimaj shpjegoi se, gjatë këtij sezoni objekt i kontrollit ka qenë regjistrimi i bizneseve në sektorin e turizmit. “Ka shumë operatorë të pa regjistruar dhe ne duhet t’i identifikojmë në këtë periudhë sezoni veror. Por për mos deklarim të punonjësve dhe të faturave tatimore, kontrollet do të vijojnë gjatë gjithë vitit” – tha Ibrahimaj.

Duke folur për subjektet e akcizës, Drejtori i Doganave Arlind Gjokutaj tha se, tregtia e jashtëligjshme e duhanit vijon të jetë prezent, ndaj dhe kemi forcuar masat e kontrolleve. “Paralelisht po punojmë për hartimin e një ligji që zgjidh çështjen e tregtisë dhe të përpunimit të duhanit. Ndërsa për lëndën djegëse jemi fokusuar në kontrollet nga rafineria, deri tek shitësi fundor”, – u shpreh Gjokutaj. /e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.