Basha dëshmon në prokurori: Pastrimi i parave, rrezik për Shqipërinë

TIRANË, 25 korrik /ATSH – I. Vata/ “Dhashë informacion për “Toyota Yaris” më shumë se çfarë kisha dhënë për publikun”, – deklaroi sot Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndërsa, theksoi se Taulant Balla duhet të ishte sot në pranga.

Pas daljes nga prokuroria Prokuroria e Krimeve të Rënda ku dha dëshminë para prokurorëve belgë, Basha tha se “dhashë sot informacione të plota për “Toyota Yaris”, edhe më shumë sa kam dhënë në publik. Taulant Balla duhet të ishte sot në pranga”.

“Pastrimi i parave të drogës dhe krimit është rreziku kryesor që i kanoset sot Shqipërisë. Është rrezik politik, ekonomik, shoqëror dhe për stabilitetin e vendit”, – tha Basha, duke shtuar se kjo qeveri është vënë në shërbim të pastrimit të parave të pista të krimit.

“Të gjitha koncesionet dhe projektet e qeverisë janë pastrim parash të drogës dhe të krimit. Projekti i stadiumit është pastrim parash. Projekti i teatrit është pastrim parash. Projekti i unazës është pastrim parash”, – tha ai.

Po ashtu, Basha shtoi se “ne do të ndjekim dhe gjurmojmë çdo qindarkë që Edi Rama dhe kriminelët po mundohen të futin në ekonomi. Çdo koncesion, çdo ndërtim, çdo kontratë do të gjurmohet për çdo qindarkë, si për ata që e kanë dhënë edhe ata që e kanë marrë. Lufta kundër pastrimit të parave do jetë prioritet kombëtar”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.