Konfirmimi në detyrë i gjyqtarit Kastriot Selita, ONM rekomandon ankimimin e vendimit

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ ONM rekomandoi pranë komisionerëve publikë ankimimin ndaj vendimit të KPK-së, për të konfirmuar në detyrë kryetarin e Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, Kastriot Selita.

Selita, gjyqtar/Kryetar i Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë u konfirmua në detyrë në datën 18 qershor të këtij viti.

“Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar këtë vendim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Komisionerët Publikë janë duke shqyrtuar në të njëjtën kohë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit”, – bëhet e ditur në njoftimin e publikuar nga institucioni i Komisionerëve publikë.

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.