Jetësim projekteve strategjike, 130 milionë euro për infrastrukturën bashkiake

TIRANË, 24 korrik /ATSH/- Christoph Tiskens, Drejtori i Përgjithshëm i Europës Juglindore dhe Turqisë, i KfW-së, Banka Gjermane për Zhvillim, priti në një takim zyrtar sot në zyrat qendrore të KfW, Frankfurt, Alqi Bllakon, drejtor i Përgjithshëm, AKUM- Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve.

Tiskens garantoi se KfW do të vazhdojë të mbështesë ngushtësisht Shqipërinë në sektorin e ujësjellës kanalizimeve dhe sektorin e mbetjeve. KfW në kuadër të mbështetjes financiare që i jep Shqipërisë dhe investimeve e projekteve aktuale në sektorin e ujit do të vijojë fokusin e saj  për jetësimim e projekteve strategjike,  jo vetëm për të garantuar zhvillimin dhe  qëndrueshmërinë e sektorit, por edhe ofruar qytetarëve shqiptarë përmirësimin e cilësisë së jetës.

Bllako nga ana e tij njohu Tiskens dhe ekipin e KfW me zhillimet më të fundit në sektor si prioritet strategjik i qeverisë shqiptare dhe nënvizoi se: “Partneriteti strategjik me KfW është realitet i suksesshëm në Shqipëri. Bashkitë që janë mbështetur financiarisht dhe projektet e implementuara nga KfW, sot kanë rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme për qytetarët, jo vetëm në shërbimin cilësor që ofrojnë, por edhe për performancën e qëndrueshme për shoqëritë e Ujësjellës Kanalizimeve, duke sjellë kështu rritje të ndjeshme të përformancës së tyre”

Bllako u ndal dhe fokusua  dhe në kërkesën e AKUM për mbështetjen nga KfW  ujësjellës kanalizimeve për Tiranën, duke theksuar arritjet e deritanishme, por dhe sfidat aktuale për zgjidhjen përfundimtare të infrastrukturës së ujësjellës kanalizime në Tiranë. Ky projekt vlerësohet si ndër më strategjikët për Agjencinë e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. “Tirana sot po përjeton një transformim të shpejtë rrënjësor. Bashkia Tiranë, si një bashki model në menaxhim e administrim, sfidon veten çdo ditë për t’u ofruar një jetë cilësore qytetarëve. Ne duhet t’i mundësojmë Bashkisë domosdoshmërisht një infrastrukturë moderne e bashkëkohore, për t’i dhënë mundësinë t’i shërbejë denjësisht kryeqytetasve në këtë sektor jetik”.

Programi “Infrastruktura Bashkiake V” që pritet të mbështetet nga Banka Gjermane – KfW me 130 milionë euro, synon të nisë zbatimin brenda vitit 2020 dhe të shtrihet në 11 qytete Shkodër, Lezhë, Kamzë, Elbasan, Berat, Kuçovë, Lushnjë, Gjirokastër, Vlorë, Sarandë e Fier. Ky program është aktualisht në fazën përgatitore studimore. Investimi do të synojë rehabilitimin e modernizimin e sistemeve UK si dhe ndërtimin e të paktën 3 impianteve trajtimi të ujërave të përdorura. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.