FOTO/ Smile Albania jo vetëm buzëqeshje mikpritje, por dhe ambientaliste, pastrojnë ballkonin piktoresk në Qafë Thanë

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ – Të rinjtë e Smile Albania përveç buzëqeshjes së mikpritjes së turistëve kujdesen gjithashtu për t’i ofruar atyre dhe një Shqipëri të pastër turistike. Ata kanë zhvilluar sot në mënyrë vullnetare pastrimin e ballkonit piktoresk në Qafë-Thanë.

“Nuk ka turizëm të qëndrueshëm pa mjedis të pastër e të mbrojtur! Ballkoni piktoresk në Qafë-Thanë, aty ku të gjithë udhëtarët ndalojnë për të bërë foto është shndërruar për fat të keq në një vend mbeturinash. Ai sot u pastrua nga të rinjtë e Smile Albania dhe stafi i zonave të mbrojtura në Korçë për të siguruar një mjedis të pastër për veten dhe turistët që na vizitojnë. Le ta mbajmë pastër”, shprehet zv.ministrja e Mjedisit, Ornela Çuçi.

Nisma të tilla vullnetare nga të rinjtë po ndërmerren gjithmonë e më shumë jo vetëm para sezonit turistik, por dhe përgjatë tij. Një mjedis i pastër do të thotë më shumë turizëm i cili garanton më shumë ekonomi për vendin. /a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.