Agjencia Telegrafike Shqiptare

FOTO/ Inspektim dhe mirëmbajtje në kalanë e Ali Pashës, Butrint

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ – Në kuadër të programit të mirëmbajtjes së monumenteve, Parku Kombëtar i Butrintit realizoi gjatë këtyre ditëve inspektimin dhe mirëmbajtjen e kalasë së Ali Pashës në grykëderdhje të kanalit të Vivarit.

Puna e specialistëve të mirëmbajtjes u përqendrua në pastrimin e vegjetacionit në strukturat e monumentit dhe pastrimin e rrugëkalimeve për të krijuar lehtësi në vizitueshmërinë e saj.

Kjo kala është ndërtuar rreth viteve 1807 – 1808, për të ndaluar zbarkimin e ushtrive franceze të Korfuzit. Kështjella ka përmasa 20 x 30 m, me katër kulla të vendosura në qoshet. Dy kullat e drejtuara nga deti kanë planimetri rrethore, ndërsa dy të tjerat, në anë të kundërt janë katërkëndëshe. Midis këtyre të fundit ndodhet edhe porta kryesore e kështjellës.

Një portë tjetër më e ngushtë është hapur në mesin e murit verior, në drejtim të bregut të kanalit. Mënyra e mbrojtjes së kësaj porte të tërheq vëmendjen në mënyrë të veçantë. Përveç dy kullave, që e mbronin nga ana e jashtme, ajo ka dhe një sistem të brendshëm fortifikimi. /a.a/

 

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version