KPK konfirmon në detyrë kandidatin për kryeprokuror, Olsian Çela

TIRANË, 23 korrik /ATSH – I. Vata/ – KPK konfirmoi sot në detyrë Olsian Çelën, prokuror pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, njëherazi dhe kandidat për kryeprokuror.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore për subjektin e rivlerësimit Olsian Çela, vendosi sot konfirmimin e tij në detyrë.

“Vendimi i arsyetuar me shkrim nga trupa gjykuese e kryesuar nga Lulzim Hamitaj, Olsi Komici relator, Brunilda Bekteshi anëtare, do t’u njoftohet subjektit të rivlerësimit, komisionerëve publikë dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve”, shprehet KPK.

Po ashtu, KPK sqaron se “ky vendim ankimohet pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit. Ankimi depozitohet pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.