Financimi rus, Balla: Basha, subjekt i hetimit nga FBI

TIRANË, 23 korrik /ATSH – I. Vata/ – “Kryetari i PD-së Lulzim Basha është subjekt i një hetimi të thellë që përfshin FBI amerikane, Policinë britanike dhe Prokurorinë shqiptare për skandalin e sponsorizimit nga para me burim rus, kundër interesave të Shqipërisë”, deklaroi sot Balla, ndërsa theksoi se nuk ka krizë politike.

“Ne kemi një krizë identiteti politik të atyre që vetëquhen përfaqësues të opozitës”, tha kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

“Unë besoj se opozita nuk është monopol i askujt, por opozita është monopol i atyre që realisht flasin për hallet e popullit”, tha ai.

Balla theksoi se “dje Lulzim Basha mori përsipër të bëjë një aksion politik, “ndiq paratë”, ndërkohë që Lulzim Basha është subjekti primar i një hetimi të thellë që përfshinë FBI amerikane, policinë britanike dhe prokurorinë shqiptare për një përfshirje të PD në një prej skandaleve më të rënda të 28 viteve, atë të sponsorizimit nga para me burim rus të lobimit të PD-së kundër interesave të Shqipërisë”.

“Prandaj e them se Shqipëria nuk është në krizë politike, Shqipëria sot ka përmbyllur një proces zgjedhor të rëndësishëm ku ka prevaluar mbi të gjitha e drejta e shqiptarëve për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur. Ka prevaluar e drejta kushtetuese që një herë në katër vite  çdo i zgjedhur duhet të paraqitet para popullit për t’u zgjedhur”, tha ai.

Për sa i përket pjesëmarrjes në votimet e 30 qershorit, Balla tha se në kushte në të cilat u zhvilluan zgjedhjet, është tërësisht e shkëlqyer.

“PS ka rikonfirmuar votën politike të saj të vitit 2017 vetëm me një diferencë vetëm 3-4%. Kanë qenë të shumtë ata socialistë dhe demokratë që kanë pasur dëshirë të marrin pjesë në zgjedhje, por padyshim me një klimë politike e këtij ashpërsimi nuk i ka shtyrë ta ushtrojnë këtë të drejtë, por në asnjë rast nuk mund të guxojë kush të thotë se pjesëmarrja në këto zgjedhje ishte e ulët”, tha ai.

Presidenti Meta ka shkelur kushtetutën

Balla tha se “ajo që ka qenë qasja jonë prej ditës së parë kur kemi marrë mandatin ka qenë shtet, punë dhe mirëqenie dhe të bësh shtet rregullat janë si për qytetarin, si për mua, si për presidentin, si për kryetarin e opozitës. Dhe nëse qytetari i thjeshtë gjobitet për një shkelje të thjeshtë atëherë çdo shkelës i Kushtetutës duhet të ndëshkohet”.

“Kjo është dhe arsyeja që Kuvendi i Shqipërisë ka nisur një proces hetimor me qëllim hetimi nëse Presidenti i Republikës në mënyrë tërësisht abuzive ka shkelur Kushtetutën me të ashtuquajturin zhdekretim të zgjedhjeve, një term kushtetues i futur në gjuhën juridike nga Ilir Meta”, tha Balla.

Opozita reale është në parlament, opozita joparlamentare ka vend në Reformën Zgjedhore

“Janë një numër i madh që kanë qenë funksionarë të PD-së, kryetarë të degëve të saj të cilët mund të jenë përfaqësues të PD-së në Kuvend dhe siç e kemi bërë  të ditur kemi lënë të hapur që PD të jetë e përfaqësuar në Komisionin e Reformës Zgjedhore me të drejtë vetoje, si i gjithë grupi i PS-së”, tha Balla, duke folur për opozitën në Kuvend.

Në tetor çelen negociata e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE

“Më herët kam thënë se zgjedhjet e 30 qershori do të bëhen dhe u bënë. Kam thënë se viti 2019 do jetë viti i fillimit të bisedimeve me BE dhe sot dua ta rikonfirmoj se tetori i këtij viti do jetë një vit i rëndësishëm, një muaj i rëndësishëm që do të konfirmojë besimin e Këshillit Europian, mbi atë rekomandim të bërë nga Komisioni për fillimin  e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, theksoi Balla.

Më tej Balla tha se Ka filluar puna në Parlamentin Europian. “Në parlamentin europian janë ngritur institucionet e reja. Kam ndjekur me vëmendje dhe konfigurimin e politikës së jashtme, por dhe të delegacionit për Shqipërinë, ku mezi pres që t’i mirëpres në vjeshtë në Shqipëri, delegacionin e Parlamentit Europian për Shqipëri si bashkëkryetar i delegacionit. Në tetor, Shqipëria do të marrë lajmin për fillimin e bisedimeve i cili do jetë një moment reflektimi për të gjithë, por pikë së pari ata që kanë bërë çfarë kanë mundur për ta dëmtuar këtë proces”, tha Balla.

Institucionet e reja të Reformës në Drejtësi lindin në gusht-shtator

Duke folur për drejtësinë e re, Balla tha se ne jemi sot tre vite pas të miratimit të reformës në drejtësi, edhe se ka pas përpjekje për ta penguar.

“Sot Reforma në Drejtësi është në një moment pa kthim dhe është në një moment arritjesh që nuk mund të imagjinoheshin tre vite më parë jemi në fazën kur të tre këshillat, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP, Këshilli i Lartë Gjyqësorit, KLGJ, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), funksionojnë normalisht dhe janë gati, pra kanë kryer punë më të rëndësishme për Prokurorinë Speciale antikorrupsion, SPAK dhe besoj në fillim të shtatorit zgjedhim prokurorin e ri të Përgjithshëm dhe po ashtu,  gjatë muajt gusht KED bën rankimin e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese”, tha ai. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.