Sezoni turistik/ Policia e Fierit apel drejtuesve të automjeteve


TIRANE, 22 korrik/ATSH/- Shërbimet e Policisë Rrugore dhe të Drejtorisë së Policisë Fier, ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e punës dhe krijimin e të gjitha kushteve për një sezon turistik të mbarë.

Në këtë periudhë për të çliruar trafikun dhe për të pasur lirësi në trafik, është hapur Bypass i Fierit.

Shefi i Sektorit të Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, kryekomisar Ylli Kondi, gjatë një prononcimi për mediet tha se “nga drejtuesit e mjeteve kërkojmë që të ndalojnë parakalimet e gabuara, të ndalojnë përdorimin e pijeve alkoolike, pasi sezoni turistik ka edhe probleme të tilla”.

Njëkohësisht, tha ai do të kërkoja nga të gjithë përdoruesit e rrugës që të ndalojnë hyrjen në autostradë të mjeteve për të cilat nuk parashikohet lëvizja e tyre pasi përbëjnë rrezik për vete dhe për përdoruesit e tjerë të rrugës.

“Si rezultat i planit të masave të marra për sezonin turistik, në të gjithë akset rrugore janë marrë masa me efektivë të shtuar për të parandaluar aksidentet rrugore. Futja në punë e Bypass-it të Fierit ka ndikuar shumë pozitivisht në lirësinë e trafikut, por ka shtuar një pjesë të aksidenteve duke qenë se është hapur rishtas dhe një pjesë e rrugëve s’janë sistemuar siç duhet, janë disa kalime në nivel të cilat kanë krijuar probleme të kësaj natyre”, deklaroi kryekomisar Ylli Kondi

Ai tha se në Bypass-in e Fierit kemi planizuar dy patrulla të policisë rrugore të cilat do të monitorojnë 24 orë në tre turne.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.