Aksioni kundër informalitetit, Ibrahimaj: Nga kontrolli në 1064 biznese, 367 prej tyre me shkelje të ligjit

TIRANË, 22 korrik /ATSH/- Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, deklaroi sot në një konferencë për median, se “lufta kundër informalitetit nuk është një plan i përkohshëm masash, por vullnet i fortë i Qeverisë shqiptare për të garantuar rregulla të barabarta në treg; për të mbështetur biznesin që i respekton rregullat dhe punon çdo ditë për të siguruar fitime në mënyrë të ndershme”.

“Asnjë sipërmarrës nuk mundet që të pasurohet duke shkelur ligjet në kurriz të të tjerëve. Nuk do të ketë më bare, lokale apo hotele që operojnë në treg pa NIPT-e. Nuk mund të ketë biznese që raportojnë xhiro sa një ambulant. Kjo bie ndesh me parimet e barazisë në treg, bie në kurriz të qytetarëve që kërkojnë me të drejtë shërbime publike të merituara, sepse ata paguajnë TVSH në çdo blerje që bëjnë, por kjo humbet në xhepat e biznesit që nuk e deklarojnë atë”, – tha Ibrahimaj.

Ajo informoj se Administrata Tatimore dhe veçanërisht Strukturat e Monitorimit në Terren, po zbatojnë këtë plan operacional, kundër Informalitetit, i cili do të jetë sistematik, i bashkërenduar edhe me institucione të linjës, të koordinuar nga Ministria e Financave, në të gjithë territorin e vendit.

Ibrahimaj bëri publik bilancin e kontrolleve për periudhën 01 deri 21 korrik 2019 ku citoi se, “janë kontrolluar 1064 subjekte, ndërsa në 367 prej tyre, janë konstatuar shkelje të legjislacionit tatimor.

Sipas saj, bilanci i shkeljeve nga kontrollet është: 62 subjekte janë konstatuar të paregjistruara në organet tatimore, për të cilët është marrë masa e bllokimit deri në momentin e regjistrimit të tyre pranë QKB dhe organeve tatimore. 53 tatimpagues janë penalizuar pasi janë konstatuar me punonjës të padeklaruar. 106 tatimpagues të penalizuar për moslëshimin e kuponit tatimor (rasti i parë), ndërsa 12 tatimpaguesve u janë bllokuar ambientet për 30 ditë kalendarike për moslëshim kuponi tatimor (hera e dytë). 12 tatimpagues janë konstatuar pa pajisje fiskale dhe 12 të tjerë nuk i mbanin pajisjet fiskale në gjendje pune. 20 tatimpagues janë konstatuar se dispononin mallra pa dokumentacion tatimor.

Ibrahimaj tha se, “deri në fund të vitit, do te kontrollohen 6200 subjekte, nga sektorët e evindetuar me risk të lartë si turizmi, ndërtimi, karburantet, të cilët do të kontrollohen, por lufta kundër informalitetit do të përfshijë çdo subjekt, që prish konkurrencën e ndershme në treg. Administrata Tatimore do të vijojë të informojë të gjitha subjektet dhe qytetarin shqiptar me informacionin e nevojshëm orientues për deklarimin tatimor, në përputhje me ligjin dhe procedurat tatimore”.

Ajo informoi se së shpejti do të kemi edhe një aplikacion Stop Informalitetit, për të lehtësuar këtë komunikim.

“Informaliteti do të thotë më pak investime publike dhe cenim i punës së ndershme të të gjitha bizneseve që operojnë sipas ligjit! Lufta ndaj Informalitetit na përket të gjithëve, ndaj i lutem çdo subjekti apo konsumatori të na bashkohet, duke bërë me dije rastet kur konstatojnë parregullsi, si nga ana e bizneseve, por edhe për punonjësit tanë, nëse abuzojnë me detyrën e tyre. Nuk ka asnjë tolerancë në këtë luftë! Përpara ligjit janë të gjithë të barabartë!” – përfundoi Ibrahimaj. /e.xh/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.