Tola: Policia Rrugore, masa shtesë për sezonin turistik

TIRANË, 20 korrik /ATSH – I. Vata/ “Policia Rrugore ka marrë masa shtesë gjatë sezonit turistik për të garantuar sigurinë në rrugë dhe qarkullimin e mjeteve”, tha sot për mediet, Drejtori i Policisë Rrugore të Tiranës, Mitat Tola.

“Sezoni turistik për Policinë Rrugore ka filluar herët, edhe për pjesën e Policisë së Shtetit, që në periudhën përgatitore të muajve mars, prill dhe maj. Ndërkohë që sot është një ditë e patrullimit normal e Policisë Rrugore për monitorimin e akseve rrugore”, tha ai.

Po ashtu, Tola shtoi se Policia Rrugore është e vendosur në akse që dalin nga Tirana, akset rrugore përgjatë Durrësit, Kavajës, në drejtim të Lezhës, në drejtim të Shkodrës, pra zonat turistike, Velipojë, Gjiri i Lalëzit dhe bregdetin deri në Sarandë, si dhe akset rrugore që i lidhin me to. Pa harruar dhe autostradën, Rrugën e Kombit.

“Në të gjitha këto segmente ka shërbime shtesë të Policisë të cilët monitorojnë trafikun dhe ndërhyjnë në momentin që bllokohet trafiku dhe ndërkohë shikojnë shkeljet më të dukshme të tyre”, tha ai.

Duke folur për teknologjinë e futur në masat për parandalimin e shkeljeve rrugore, Tola tha se “për kontrollin e shpejtësisë dhe përdorimit të alkoolit, aparati i shpejtësisë, foto dhe kamerat përdoren për të identifikuar ata drejtues mjeti që nuk respektojnë rregullat e sjelljes dhe nuk arrijnë të ndalohen, masa e gjobës u shkon me postë në shtëpi”.

Tola shtoi se sipas statistikave të Policisë Rrugore ka filluar të bjerë numri i rasteve që kryejnë shkelje të rrezikshme në rrugë.

Për sa i përket akseve problematike, Tola tha se “zona që ka ngarkesë është zona e Fushë-Krujës, për shkak të ndërtimit të urës në hyrje të qyteti. Kemi marrë masa për devijimin e trafikut dhe ndalimin e kamionëve të rëndë duke i zhvendosur në rrugë alternative”, tha ai.

Po ashtu, Tola tha se numri i aksidenteve krahasuar me të njëjtën periudhe të vit më parë është ulur.

Referuar statistikave të aksidenteve në sezonin veror, Tola tha se “këtë gjashtë mujor ka një numër më të ulët aksidentesh apo janë 65 aksidente me pasoja më pak se në të njëjtën periudhe të një viti më parë. Po ashtu edhe viktimat dhe numri i pasojave është në trend ulës, por normalisht për policinë çdo aksident vlerësohet shumë edhe në kuadër të masave për sezonin turistik”.

Gjithashtu, Tole u bënë apel qytetarëve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.

“Ajo çfarë u tërheq vëmendjen drejtuesve të mjeteve është që të mos priren drejt shpejtësisë, duhet të qarkullojnë më shpejtësi të ulët, të vendosin rripin dhe të mos përdorin pije alkoolike”, tha ai./r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.