Kombinati, Kinostudio dhe Lapraka së shpejti qendra policentrike 

TIRANË, 20 korrik /ATSH/ – Kombinati, Kinostudio dhe Lapraka shumë shpejt do të shndërrohen në qendra policentrike.

Veliaj nga Kombinati ritheksoi se një nga projektet e bashkisë së Tiranës që do të marrë jetë këtë katërvjeçar është edhe krijimi i Tiranës policentrike, ku përfshihet qendra e Kombinatit, ajo e Kinostudios dhe e Laprakës.  Për Tiranën policentrike bashkia e Tiranës do të zhvillojë një konkurs.

“Me gjithë këto ndërtesa të trashëgimisë industriale shqiptare, pavarësisht se si rrodhën ngjarjet me ndërrimin e sistemit, duam që ta kthejmë pjesën e Kombinatit në një pjesë jo vetëm që të ruhet, por  të restaurohet. Ata që i kanë zënë në vitet e fundit këto ndërtesa, do të trajtohen në një mënyrë sociale, pra o me një bonus qiraje, o me kredi të butë, ose me një banesë sociale. Duhet që ky shesh që është, le të themi, simbolikë e asaj që kemi si vizion i Tiranës policentrike, të materializohet. Do të kemi tre konkurse: Kinostudio, Kombinat dhe Laprakë”, tha kryebashkiaku. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.