Basha në Kurbin: Refuzimi kombëtar i 30 Qershorit, përgjegjësi e madhe për ne

TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Kreu i PD, Lulzim Basha u shprehu demokratëve të Kurbinit mirënjohjen që bashkë me qytetarët e tjerë, u bënë pjesë e refuzimit më 30 Qershor, duke krijuar shumicën absolute “Rama ik”.

“Kjo shumicë absolute është në radhë të parë, treguesi i vetëdijesimit të njerëzve se 30 Qershori nuk bëhej për ta, por bëhej për Edi Ramën dhe një grusht banditësh dhe oligarkësh me të cilët sundon qeverinë”, – u shpreh Basha.

“Po të heqim pjesëtarët e administratës, të cilët u sollën me forcë në proces dhe lanë në fletëvotime dëshmitë “më detyruan”, del se as 1 në 3 socialistë nuk u bë pjesë e kësaj farse”, – shtoi ai.

Në takimin informal me strukturat e PD në Laç, ai theksoi gjendjen e rëndë ekonomike të qytetarëve si arsyen e dytë të madhe për refuzimin e regjimit të Ramës. “1 në 3 familje nuk mbyll dot muajin me shpenzimet për ushqimet bazë. Papunësia ka arritur në shifra rekord dhe kostoja e jetesës është bërë e papërballueshme për shumicën dërrmuese të shqiptarëve”, – shtoi Basha.

“Shqiptarët po varfërohen, sepse po grabiten. Shqipëria po plaçkitet dhe po shkatërrohet nga një grusht biznesmenësh grabitqarë që ndajnë paratë dhe pasuritë me njëri-tjetrin”, – theksoi kreu i opozitës.

Basha shtoi se refuzimi i Edi Ramës nuk do të kishte këto përmasa pa vendimet kurajoze të opozitës për përballje dhe djegien e mandateve, vendime që vranë frikën dhe zgjuan shpresën tek qytetarët.

“30 Qershori është refuzim i Edi Ramës, është thirrje për ndryshim. Kjo thirrje i drejtohet para së gjithash Partisë Demokratike”, – nënvizoi Basha, i cili vuri në dukje se PD, ka përgjegjësinë t’i njohë shqiptarët pa u lodhur, çdo ditë, me vizionin dhe programin e PD”.

“Refuzimi kombëtar i 30 Qershorit është një përgjegjësi e madhe për ne, për ta kthyer këtë bashkim popullor në energjinë e ndryshimit politik dhe ekonomik që kërkon çdo shqiptar”, – theksoi Basha.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.