​Gashi-Haradinajt: Ju dhe Kosova asnjëherë nuk rrëzoheni

PRISHTINË, 20 korrik /ATSH/ Kryetari i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi ka reaguar pas dorëheqjes së Kryeministrit Ramush Haradinaj, duke thënë se tani prapë nderove popullin me guximin tënd, pasi po sakrifikon veten që kryeministri i Kosovës mos të ulet në bankën e të akuzuarit.

Ai ka numëruar sukseset dhe sfidat e Haradinajt, duke thënë se i tha stop Serbisë me vendosjen e taksës, gjë që bëri që secili qytetar të ndihet me dinjitet dhe të ndiejë shtetin.

“Mburrem që ndër vite rrugëtuam bashkë, si në luftë, ashtu edhe në paqe, jo rrallëherë familja juaj dhe ti Ramush ishit para sfidave dhe u sakrifikuat, përjetuam luftën, ju ishit përherë në ballë të saj, patët çfarë t’i jepni lirisë! Ja dhuruat më të dashurit tuaj, dy lulet më të bukura ia dhuruat lirisë, Luanin dhe Shkëlzenin, pothuajse të gjithë anëtarët e familjes pikuan gjak nga plagët e marra për liri. Punove shumë edhe në qeverisjen e atëhershme sa ishe Kryeministër në 100 ditë, pavarësisht të gjitha rrethanave kur drejtësia ndërkombëtare ta kërkoi të dëshmosh për Luftën e UÇK-së, ti e bëre po të njëjtin veprim nuk e përule vendin, ofrove dorëheqjen dhe shkove atje si luftëtar i lirisë e mbrojte me dinjitet luftën e UÇK-së. Duke falenderuar popullin e Kosovës, ti u riktheve përsëri aty ku duhet të ishe, duke thënë dhe vetë se kemi shumë punë për të bërë, për ta çuar në vend amanetin e Adem Jasharit, Zahir Pajazitit, Luan e Shkëlzen Haradinajt, Fehmi e Xhevë Lladrovcit, Agim Ramadanit, Sali Çekaj, e shumë e shumë heronjve dhe dëshmorëve. E bëre realitet Ushtrinë dhe falë guximit tuaj u morën aq shumë vendime të rëndësishme. S’ishte fare e lehtë qeverisja në proceset të cilat po i kalon vendi ynë. I the Stop të keqes, “Serbisë”, me vendosjen e taksës, kjo na bëri që secili qytetar të ndihet i dinjitetshëm dhe të ndjej shtetin. Kombi ynë ka burra të guximshëm, tani prap nderove popullin me guxim tënd. Po sakrifikon veten që Kryeministri i Kosovës mos të ulet në bankën e të akuzuarit, e thënia: “Ska rëndësi kush rrxohet e çohet, veç KOSOVA le të mbetet”, ju dhe Kosova asnjëherë nuk do rrëxoheni. Luftëtar i lirisë, Gjeneral Ramush Haradinaj, jemi me ty! Miku juaj, Xhafa. /KosovaPress/e.malaj/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.