Meta vlerëson me titullin “Mjeshtër i Madh” ish-futbollistin e Kombëtares, Mujo Targaj

TIRANË, 19 korrik /ATSH – I. Vata/ – Presidenti i Republikës Ilir Meta vlerësoi sot në një ceremonie të veçantë, ish-futbollistin e shquar të Ekipit Kombëtar shqiptar dhe të “Dinamo-s” Mujo Targaj me Titullin “Mjeshtër i Madh”.

Në prani të shumë personaliteteve sportive, të kolegëve dhe trajnerëve, Presidenti Meta i dorëzoi ish-kapitenit legjendar të ekipit kryeqytetas të futbollit të viteve 1980-të, titullin e lartë me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për kontributin e jashtëzakonshëm në futboll, si një nga kapitenët më të spikatur të ‘Dinamos’ dhe Ekipit Kombëtar. Gjithmonë shembull i korrektësisë dhe etikës në fushën e blertë”.

Presidenti Meta vlerëson ish-futbollistin e shquar të Ekipit Kombëtar shqiptar dhe të “Dinamo-s” Mujo Targaj për kontributin e tij që i ka dhënë futbollit.

“Mujo Targaj është një nga personalitetet e sportit për të cilin kam pasur një adhurim të pakufishëm, si të gjithë sportdashësit shqiptarë, pa dallim preference të ndonjë ekipi”, tha ai.

Më tej Presidenti Meta shtoi se Mujo Targaj është i qetë dhe nuk flet shumë, sepse i ka thënë të gjitha me punën dhe kontributin e tij të shkëlqyer, jo vetëm me Dinamon, ku ka qenë 5 herë kampion i vendit dhe 3 herë fitues i Kupës së Republikës, por edhe me Ekipin Kombëtar.

“Aq më tepër t’i shënonte gol kampionit të botës, Shumakerit të frikshëm dhe në këtë mënyrë të hapte portën e golave të tjerë të Shqipërisë kundër Gjermanisë së madhe”, tha ai.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.