FUTBOLL- “Kukësi” shkarkon trajnerin Ernest Gjoka pas eliminimit nga Europa League

Trajneri Ernest Gjoka

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ “Kukësi” ka shkarkuar trajnerin Ernest Gjoka pas eliminimit të mbrëmshëm në Europa League ndaj hungarezëve të Debrecenit.

Lajmin e bën të ditur vetë klubi verilindor, i cili bën të ditur se prej rezultateve zhgënjyese Gjoka është shkarkuar.

“Trajneri Ernest Gjoka nuk do të jetë më në krye të skuadrës së Kukësit. Vendimi është marrë pas rezultateve zhgënjyese të ndeshjeve kualifikuese të Europa League. Klubi ynë trajnerit Gjoka i ka dhënë gjithë mbështetjen e mundshme, sidomos pas rikthimit të tij në krye të pankinës së skuadrës nënkampione të Shqipërisë”, thuhet në deklaratën e “Kukësit”.

“FK Kukësi falenderon trajnerin Gjoka për punën e bërë në krye të ekipit. Shumë shpejt, klubi do të njoftojë për emrin e trajnerit të ri, i cili objektiv kryesor do të ketë fitimin e titullit Kampion, Kupës së Shqipërisë si dhe përfaqësim sa më dinjitoz në Kupat e Europës”, thekson klubi i “Kukësit”.

/gj.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.