Transformimi i lagjeve të Tiranës, një shesh dhe kënd i ri lodrash për banorët e rrugës “Eshref Frashëri”

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ – Një tjetër lagje në kryeqytet, kësaj here në zonën e “Don Boskos”, po merr një pamje të re, me infrastrukturë rrugore, ambiente çlodhëse dhe argëtuese, si dhe shërbime cilësore për qytetarët. Bëhet fjalë për bllokun e banimit në rrugën “Eshref Frashëri”, ku falë investimeve të bashkisë së Tiranës, e gjithë hapësira ka marrë një pamje të re.

Ndërkohë që një pjesë e qytetarëve kanë nisur pushimet për këtë sezon veror, punonjësit e Mirëmbajtjes së Rrugëve kanë vijuar punën për rehabilitimin e zonës, me shtrimin e trotuareve, vendosjen e stolave, ndriçimin dhe gjelbërimin.

Po kaq cilësor dhe e rëndësishëm për banorët e zonës, është investimi për këndin e ri të lodrave për fëmijët, i cili ndërthuret më së miri me infrastrukturën në rrugën “Eshref Frashëri”.

Sakaq, bashkia e Tiranës po vijon punën edhe në zona të tjera në kryeqytet për t’iu mundësuar qytetarëve hapësira sa më komode, çlodhëse dhe me standarde. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.