Situata politike në Shqipëri, Reeker: Nuk mundet që thjesht të dorëzosh mandatet, duhen përdorur institucionet

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Euroazinë, Philip Reeker tha se rruga institucionale është mënyra e vetme e tejkalimit të krizës politike në Shqipëri.

I pyetur nga Zëri i Amerikës mbi zhvillimet në Shqipëri, ambasadori Reeker tha se Shtetet e Bashkuara nuk janë krenare me zhvillimet e fundit atje, pasi nuk u përdorën institucionet. Diplomati i lartë amerikan i bëri komentet dje në një forum të organizuar nga Këshilli i Atlantikut.

“Nuk jemi krenarë me shqiptarët këto javët e fundit, sepse ata nuk përdorën institucionet që kanë. Nuk mundet që thjesht të bojkotosh parlamentin ose të dorëzosh mandatet. Ato institucione duhen përdorur, duhen përdorur gjykatat, duhet të emërohen anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, që përmes Kushtetutës dhe përdorimit të këtyre mjeteve të tejkalohen kohët e vështira politike. Shtetet e Bashkuara nuk do të bëhen arbitër i politikave të brendshme të Shqipërisë, por ne do të vazhdojmë të inkurajojmë të gjitha palët të punojnë së bashku me institucionet dhe të bëjnë hapat e duhur që të ecin përpara. Dhe nëse institucionet nuk bëjnë punë, atëherë puno që t’i ndryshosh ato, nëpërmjet mjeteve kushtetutese që keni”, tha Reeker. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.