Ndryshimet në Kodin Penal, Lleshaj: Të ulim mundësinë e mbajtësve të armëve për të kryer vrasje

TIRANË, 18 korrik/ATSH/ Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka theksuar se qeveria përmes pr/ligjit për forcimin e Kodit Penal synon të ngushtojë mundësinë e mbajtësve të armëve për të kryer vrasje.

Gjatë seancë parlamentare, që po zhvillohet sot, ku po diskutohet dhe për pr/ligji për disa ndryshime në “Kodin Penal”, Lleshaj tha se në vendin tonë ligji është liberal në frymë, prandaj duhet forcuar që mbajtësit me leje të armëve të kenë më pak mundësi për të kryer vrasje.

“Duhet të keni të qartë se Shqipëria nuk ka kufizime sa i takon prodhimit të armëve në vendin tonë. Parimisht dhe vendi jonë mund të prodhojë armë. Mund të prodhojë dhe sot që flasim dhe mund të vijoj dhe nesër të prodhojë armë dhe mbase dhe duhet të prodhojë armë nesër. Shqipëria prodhon dhe ato fishekzjarrë që mund të pyesim nga hyjnë. Po sigurisht janë prodhuar dhe në mënyrë të paligjshme, teksa ato që prodhohen në mënyrë të ligjshme janë kryesisht për eksport, teksa ka dhe që janë keqpërdorur këtu”, – sqaroi Lleshaj.

“Ka pasur dhe një kontradiktë tjetër, kur themi se duhet të bllokojmë kufirin për hyrjen e armëve ne vendin tonë. Kufiri jonë është i hapur, është kufi poroz, është kufi i gjelbër tashmë, jo më me tela me gjemba. Dhe përmes këtyre kufijve të gjelbër mund të futen kontrabandë dhe armë dhe mjete të rrezikshme, siç futen dhe produkte të tjera si duhani apo ushqime”, – theksoi Lleshaj.

“Prandaj, duhet forcuar dhe ashpërsuar ligji dhe ndëshkimi penal ndaj posedimit të armëve. Ne në vijim do të shkojmë në një hap më të rëndësishëm, të forcojmë kriteret për mbarëvajtjen e ligjshme të armëve”, – paralajmëroi Lleshaj.

“Shqipëria ka një filozofi më liberale në aspektin e dënimit. Në SHBA lejohet mbajtja e armëve, por ka dhe dënime me vdekje. Ne, që s’kemi dënimin me vdekje, duhet heqim mundësinë fizike poseduesit të armëve  për të vrarë. Ne, theksoi ministri Lleshaj, duhet të mendojmë që t’ja ngushtojmë mundësinë çdo qytetari, që, siç nuk mund ta pengojmë që të pengohet për t’u çmendur, por mund ta pengojmë në mbajtjen e armëve, duke ja hequr nga dora. Ky është dhe synimi, forcimi i ligjit, për të ndaluar mbajtësit e armëve për të vrarë”, – tha Lleshaj.

“Nuk janë armët mjete ahengu, por mjet vrasjeje. Sa më shumë të ngushtojmë mundësinë e mbajtjes së armëve, aq më shumë shpëtojmë jetë qytetarësh. Në vitin ’97 u vranë mijëra qytetarë në mënyrë të pavullnetshme, thjesht për faktin se shumë shtetas nuk e dinin diferencën mes instrumentit muzikor dhe pushkës, pasi nuk dallonin zhurmën mes armës dhe muzikës. Shumë qytetarë kanë vrarë pa ditur se kanë vrarë njerëz, duke qëlluar në ajër dhe nuk e dinë se ka vrarë.  Sa më pak armë Shqipëria aq më mirë për shqiptarët”, – tha ministri Lleshaj.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.