Milot-Balldren, pjesë e Korridorit Blu, integron rrugët e vendit në infrastrukturën paneuropiane

TIRANË, 18 korrik /ATSH/- Në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës rrugore, si dhe ndërlidhjes së Shqipërisë me rajonin dhe Europën, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nënshkruar kontratën e koncesionit/PPP për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot-Balldren.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, u shpreh sot në seancën plenare të Kuvendit, se “aksi Milot- Balldren, i cili e përfshin në vetvete edhe Bypassin e Lezhës është pjesë e autostradës Adriatiko-Joniane, quajtur ndryshe Korridori Blu, është një autostradë që do të shtrihet përgjatë gjithë bregut lindor të deteve Adriatik dhe Jon dhe bregut perëndimor të Gadishullit Ballkanik duke ndërlidhur disa shtete”.

Ministrja gjatë fjalës së saj, tha “ky korridor është prioritet në “Strategjinë Sektoriale të Transportit dhe Planin Kombëtar të Veprimit 2016-2020”, me qëllim integrimin e segmenteve rrugore të vendit në rrjetet e infrastrukturës së Ballkanit dhe sistemit të transportit paneuropian”.

Kontrata Milot-Balldren, theksoi ajo, parashikon gjithashtu edhe një sistem mirëmbajtjeje, ku Partneri Privat do të disbursohet në mënyrë të kushtëzuar bazuar në cilësinë e shërbimit të ofruar ose ndryshe kontratat e performancës. Zëri i mirëmbajtjes përfshin operimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor, tunelin, urat dhe të gjitha veprat e artit.

Rëndësia e segmentit rrugor Milot-Balldren nuk kufizohet tek të qenurit pjesë përbërëse e Korridorit Blu. Kryesisht, ky segment është pjesë e aksit që lidh kryeqytetin me zonën veri-perëndimore të vendit.

Sipas Ballukut, kjo zonë në përgjithësi dhe qyteti i Lezhës në veçanti, kanë një potencial të madh ekonomik dhe turistik. Përmirësimi i infrastrukturës rrugore në këtë segment jo vetëm që do të mundësonte zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të zonës, por edhe lehtësimin e trafikut në këtë zonë gjithmonë e më të frekuentuar nga pushuesit vendas e turistë të huaj.

Gjithashtu nga studimet e kryera, ka rezultuar se përmirësimi i kushteve teknike në rrugën Milot-Balldren do të kishte një ndikim të ndjeshëm në uljen e rrezikut të aksidenteve në këtë aks, si dhe lehtësimin e vështirësive në qarkullim gjatë stinës së dimrit.

“Qeveria Shqiptare ka hartuar kërkesa duke e detyruar Partnerin Privat  të ndërtojë segmentin Milot-Balldren sipas standardeve më të larta teknike dhe të ofrojë një shërbimin sa më cilësor mirëmbajtjeje, pasi çdo kosto shtesë, njohur ndryshe si punime të paparashikuara, që mund të lindë nga ky projekt si pasojë e parregullsive apo defekteve do të përballohet nga vetë Partneri Privat”- tha Balluku.

Milot-Balldren shtrihet përgjatë aksit të rrugës ekzistuese që lidh Milotin me qytetin e Lezhës dhe devijohet si rrugë plotësisht e re, nga nyja e qytetit të Lezhës deri në Balldren ku më pas lidhet me rrugën ekzistuese në drejtim të Shkodrës.

Projekti i propozuar përfshin ndërtimin e segmentit rrugor “Milot-Balldren”, ndërtimin e tunelit me 2 portale në malin e Rencit dhe rehabilitimin dhe zgjerimin me dyfishin e tyre e dy urave ekzistuese, atë të Matit dhe të Drinit. Gjithashtu, propozohet ndërtimi në total i 9,5 km rrugë dytësore dhe rrugë lidhëse të nyjeve për të mundësuar dhe lehtësuar qarkullimin e automjeteve në këtë zonë. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.