Koncesionet, Gjylameti: Nga 217 projekte, 183 janë dhënë nga qeveria e PD-së

TIRANË, 18 korrik /ATSH – I. Vata/ “Nga 217 projekte me koncesion, 183 projekte janë dhënë nga qeveria e PD-së”, – deklaroi sot në Kuvend, deputetja e PS-së Blerina Gjylameti, ndërsa theksoi se ne zgjodhëm kontratat e fokusuara më tepër te shërbimet.

Deputetja e PS-së Blerina Gjylameti, tha se gjatë qeverisjes së këtyre 6 viteve kjo mazhorancë ka treguar përgjegjshmëri në investime, jo vetëm për sa i përket kohës së investimeve në infrastrukturë, por edhe sa i përket mirëmenaxhimit të financave publike.

“Paraardhësit tanë sa herë fillonin zgjedhje ndërmerrnin fushata me nisje të rrugëve, dhe sa përfundojnë zgjedhjet jo vetëm rrugët që mbeteshin të papërfunduara por dhe punonjësit që punonin në to mbeteshin të papaguar duke krijuar borxhe të pafund mes shtetit, firmave private, firmave private ndaj individit”, – tha ajo.

Më tej, Gjylameti shtoi se për ne investimet në infrastrukturë nuk janë një fushatë një herë në katër vite por si një mazhorancë e përgjegjshme, kemi treguar se puna dhe investimet janë të përditshme, por në mënyrë të veçantë me mirë menaxhimin e financave publike.

“Edhe pse opozita jo parlamentare përpiqet që projektet e kontratave PPP t’ia faturojë kësaj mazhorance, duhet theksuar se deri më tani në vendin tonë janë dhënë 217 projekte me koncesion nga të cilat 183 projekte janë dhënë gjatë periudhës 2005-2013, rreth 99% e tyre janë dhënë me procedurën e propozimit të pakërkuar; konkretisht për pullat fiskale, skanimin në doganë, markimin e karburanteve, HEC-et e Devollit dhe shumë të tjera. Këto koncesione kanë pasur kosto të drejtpërdrejtë në buxhetin e shtetit dhe kanë rënduar dhe sektorin privat”, – theksoi Gjylmeti.

Gjithashtu, Gjylameti shpjegoi se pas viti 2013 e gjithë veprimtaria e kontratave PPP, u fokusua më tepër te shërbimet. Kontrata e nënshkruar në sektorin e Shëndetësisë  ndihmuan në shërbimin ndaj qytetarëve, parandalimin e sëmundjeve dhe përafrimin e tyre me standardet ndërkombëtare.

“Normalisht ndërmjet zgjedhjes për të pritur deri sa të ishte mundësia nga buxheti i shtetit për të përmirësuar cilësinë e këtyre shërbimeve dhe alternativës tjetër për të pasur kontrata të tilla koncesionare  vendosëm drejtë saj, por asnjë moment asnjë nga kontratat nuk kanë cenuar atë që ka të bëjë me stabilitetin makrofinanciar. Një nga kontratat me PPP, ishte dhe Rruga e Arbrit e cila u jep mundësi qytetarëve që jetojnë atje për tu lidhur me Tiranën, por edhe me gjithë rajon”, – tha ajo. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.