67 mijë familje mbështeten me ndihmë ekonomike, Manastirliu: Konsoliduam skemën

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, u shpreh sot në Kuvend, se “hartimi i politikave për mbrojtjen sociale që ka ndërmarrë Qeveria, për të gjitha kategoritë janë shtylla kryesore e programit politik të Partisë Socialiste”.

Duke marrë fjalën në seancën plenare, Manastirliu tha se, “ne synojmë adresimin e mbështetjes për kategoritë më pak të mbrojtura dhe të paavantazhuara për të garantuar mbrojtjen gjithëpërfshirëse të tyre. Në këto 6 vite kemi konsoliduar një paketë të plotë, të përfitimeve sociale direkte për familjet në nevojë. Drejtësia sociale dhe mbrojtja e individëve në nevojë janë në prioritetet e punës sonë”.

Sipas saj, reforma e ndihmës ekonomike ishte një nga reformat më të suksesshme që ndërmori qeveria dhe që hodhi bazat për mbështetjen e familjeve më në nevojë. Larguam 20 mijë individë që ishin viktima të një ndihme ekonomike pa asnjë kriter, duke i zënë vendin atyre që vërtetë kishin nevojë për ndihmë ekonomike.

“Sot kemi arritur të konsolidojmë një skemë të plotë dhe të targetojmë ata që kanë nevojë. Sot përfituesit e ndihmës ekonomike, janë mbi bazën e një sistemi digjital pikëzimi transparent dhe të pakorruptuar nga askush”, – tha Manastirliu.

Ndërsa nënvizoi se, reforma hoqi masën e pjessshme të ndihmës duke e zëvendësuar atë me ndihmën e plotë.

“Janë 67 mijë familje që mbështeten sot me paketën e ndihmës ekonomike, mbi 15 mijë që e përfitojnë për herë të parë këtë paketë dhe mbi 4500 kryefamiljare gra. Skema e ndihmës ekonomike nuk është skema e lëmoshës, por e subvencionit të familjeve në nevojë për shkollim, energji elektrike etj. Mbi 5 mijë të moshuar përfitojnë bonusin e pensionit social, 160 mijë persona me aftësi të kufizuar mbështeten nga skema e pagesave dhe nga 1 janari 2019 mbi 13 mijë familje kanë përfituar bonusin e bebes”, – tha Manastirliu.

Sipas saj, 20 milionë dollarë do t’i kushtohen paketës së përfitimit direkt për fëmijët. Ndërsa qëllimi i projektligjit është që të garantojë mbështetje për familjet në nevojë dhe risia është që përfitimi i ndihmës ekonomike nuk mbetet më peng i bashkive, por ky fond do të kalojë direkt nga Shërbimi Kombëtar Social, duke lehtësuar kështu procedurat dhe transparencën.

Gjithashtu kemi hequr tavanin e ndihmës ekonomike mbi 8 mijë lekë, duke bërë që mbi 2 mijë familje të përfitojnë edhe subvencione për drejtime të tjera. Skema alternohet me mundësinë për punësim, çka i jep avantazh të rinjve të integrohen edhe në tregun e punës, tha ajo. /e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.