UASHINGTON – Trump: SHBA nuk do t’i shesë Turqisë F-35

UASHINGTON, 17 korrik /ATSH-AA/ – Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se SHBA nuk do t’i shesë Turqisë avionët e avancuar luftarakë F-35 për shkak se Ankaraja zyrtare ka blerë sistemin rus për mbrojtje raketore S-400 duke u ankuar dhe duke fajësuar paraardhësin e tij për këtë bllokim.

“Ne kemi një situatë kur Turqia është shumë e mirë me ne dhe ne tani i themi Turqisë për shkak se ju me të vërtetë jeni detyruar të blini një sistem tjetër raketor dhe ne nuk do t’u shesim avionët luftarakë F-35”, Trump u tha gazetarëve gjatë takimit të kabinetit në Shtëpinë e Bardhë.

“Është një situatë e vështirë në të cilën ata ndodhen. Dhe është një situatë e vështirë në të cilën ne jemi vendosur, SHBA”, shtoi Trump.

Administrata e presidentit amerikan kërcënoi se do të përjashtojë Turqinë nga programi i avionit luftarak F-35 pasi u furnizua me sistemin S-400 nga Rusia, duke paralajmëruar se sistemi për mbrojtje ajrore mund të përdoret nga Moska për të zbuluar fshehurazi informata sekrete rreth avionit luftarak.

Turqia firmosi marrëveshjen për furnizim me sistemin S-400 më 11 prill të vitit 2017, pas përpjekjeve të pasuksesshme për të blerë sistemin amerikan ”Patriot”.

Për situatën e krijuar me F-35, Trump akuzoi administratën e ish-presidentit amerikan, Barack Obama, për të cilin tha se e krijoi problemin duke mos i lejuar qeverisë turke që të blejë sistemin raketor ”Patriot”.

SHBA në qershor ndaloi trajnimin për pilotët turq si një hap në mënjanimin e pjesëmarrjes së Turqisë në programin e drejtimit të avionëve F-35./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.