Strategjia për mirëmenaxhimin e financave publike, trajnim dyditor për komunikimin

TIRANË, 17 korrik /ATSH/ Në kuadër të lançimit të Strategjisë për Menaxhimin e Financave Publike 2019-2022, u organizua një trajnim dyditor për komunikimin për ekspertë të nivelit të lartë të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, mbështetur nga projekti i Asistencës Teknike për Reformën e Financave Publike, financuar nga Bashkimi Europian.

Në fjalën përshëndetëse, ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj theksoi rëndësinë e këtij trajnimi për rritjen e transparencës së reformave në fushën e ekonomisë dhe financave në kuadër të procesit të integrimit europian.

Gjatë dy ditëve, u diskutua në mënyrë interaktive ndër të tjera mbi përgatitjet dhe teknikat e të folurit në publik, përgatitjes për një intervistë në media dhe rregullat e komunikimi në kohë krize.

Trajnimi synoi të nxisë komunikimin mbi rezultatet e Reformës për Menaxhimin e Financave Publike, një nga reformat më të rëndësishme qëllimi i së cilës është të forcojë transparencën, gjithëpërfshirjen dhe llogaridhënien për shpenzimin e fondeve publike. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.