Siguria ushqimore, AKU vendos 3.7 milionë lekë gjobë dhe bllokon dhjetëra kg produkte të skaduara

TIRANË, 16 korrik/ATSH/ AKU zhvilloi kontrolle rigoroze në disa subjekte në Korçë dhe në Fier, ku vendosi 14 gjoba me vlerë totale 3.7 milionë lekë si dhe bllokoi dhjetëra kg djathë dhe produkte të skaduara për asgjësim.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në vijim të kontrolleve rigoroze në të gjitha subjektet që prodhojnë, përpunojnë dhe tregtojnë produkte ushqimore me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore, parandalimin e çdo praktike mashtruese dhe abuzive në dëm të konsumatorëve, ka kryer kontrolle zyrtare tek 6 operatorë të biznesit ushqimor në Korçë, Pogradec dhe Fier.

Nga kontrolli i ushtruar në subjektin “Stefan Hafesllari” me aktivitet “Njësi Tregtimi”, Korçë u konstatua se subjekti ushtronte veprimtarinë pa u pajisur me licencën përkatëse “Shitje me shumicë e produkteve me origjinë shtazore për njerëz”. Gjithashtu nga kontrolli u evidentuan produkte me afat të kaluar përdorimi, në magazinën e ruajtjes së ushqimeve mungonin kushtet higjieno-sanitare si dhe subjekti nuk dispononte planin e Vetëkontrollit (HACCP) dhe sistemin e gjurmueshmërisë.

Për shkeljet e konstatuara AKU mori masat e mëposhtme: gjobë 1 milionë lekë për ushtrim të aktivitetit duke mos disponuar licencën përkatëse; gjobë 300 mijë lekë për mungesë të kushteve higjieno-sanitare; gjobë 300 mijë lekë për hedhjen në treg të produkteve me afat të kaluar përdorimi; gjobë 100 mijë lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë si dhe gjobë 100 mijë lekë për mungesë të planit të vetëkontrollit (HACCP).

Nga kontrolli i ushtruar në subjektin “Baxho” Maliq, Korçë, u konstatua se subjekti ushton aktivitetin në kushte të papërshtatme higjieno-sanitare (u konstatua prani e mykut dhe lagështirës në ambientet e stazhionimit). Subjekti nuk kishte përditësuar regjistrat e planit të vetëkontrollit (HACCP), nuk dispononte sistemin e gjurmueshmërisë për certifikatat veterinare si dhe produktet ishin të etiketuara në kundërshtim me ligjin.

Për shkeljet e konstatuara AKU mori masat e mëposhtme: gjobë 300 mijë lekë për mungesë të kushteve higjeno-sanitare; gjobë 100 mijë lekë për mosimplementimin e planit të vetëkontrollit (HACCP); gjobë 100 mijë lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë; gjobë 100 mijë lekë për etiketim të produkteve në kundërshtim me ligjin.

Nga kontrolli i ushtruar në subjektin “Petraq Zhidro” me aktivitet “Përpunim qumështi”, Korçë, u konstatua se subjekti ushtronte aktivitetin në kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare si dhe nuk dispononte sistemin e gjurmueshmërisë.

Për shkeljen e konstatuar AKU mori masën e gjobës 300 mijë lekë për mungesë të kushteve higjieno-sanitare dhe gjobës 100 mijë lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë. Po ashtu u bë bllokimi i 60 kg djathë kaçkavall të pasigurt për konsum me qëllim asgjësimin e tij.

Nga kontrolli i ushtruar në subjektin “Ardi Zaçe” me aktivitet “Byrektore”, Pogradec, u konstatua se subjekti nuk dispononte analizën e ujit të pijshëm, mungonin masat kundër dëmtuesve (Plani DDD) si dhe nuk kishte ambiente sanitare (tualet).

Për shkeljet e konstatuara AKU mori masën gjobë 300 mijë lekë për mungesë të kushteve higjieno-sanitare.

Nga kontrolli i ushtruar në subjektin “Arben Abrashi” me aktivitet “Njësi Tregtimi”, Çërravë, Pogradec, u konstatuan një sërë produktesh me afat të kaluar përdorimi patatina, llokume, limontos dhe pulë e ngrirë. Për shkeljet e konstatuara AKU mori masën gjobë 300 mijë lekë për hedhjen në treg të produkteve me afat të kaluar përdorimi me qëllim asgjësimin e tyre.

Nga kontrolli i ushtuar në subjektin”Janaq Ciko” me aktivitet “Magazinë ushqimore” Fier, u konstatuan një sërë produktesh me afat të kaluar përdorimi karamele, vaj, ujë, fasule etj.

Për shkeljen e konstatuar AKU mori masën gjobë 300 mijë lekë për hedhjen në treg të produkteve me afat të kaluar përdorimi. U bë bllokimi i produkteve të skaduara me qëllim asgjësimin e tyre.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të vijojë kontrollet rigoroze, për të garantuar zbatimin e ligjit në të gjithë zinxhirin ushqimor dhe ofrimin e produkteve ushqimore të sigurta për të gjithë konsumatorët me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore./m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.