Basha në Berat: Votën e 30 qershorit ta kthejmë në projekt ndryshimi

TIRANË, 16 korrik /ATSH – I. Vata/ –  “85 % e shqiptarëve është vota më e pastër për largimin e këtij regjimi. Është detyra jonë ta kthejmë këtë në projekt shprese dhe ndryshimi”, deklaroi sot nga Berati, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ndërsa theksoi se opozita do vazhdojë me qëndresën.

Më tej, Basha tha se Berati ishte nën mesataren kombëtare, e cila kapi më pak se 15 %, që do të thotë se edhe në Berat socialistët janë vetëdijësuar që rruga e çlirimit të partisë së tyre kalon në qëndrimin krah për krah me qytetarët e tjerë të Beratit, me demokratët dhe të gjithë qytetarët e tjerë të Beratit, “në betejën tonë për vlera, në betejën tonë për liri ekonomike, mundësi dhe mirëqenie për çdo qytetar”.

“Ne do të vazhdojmë me një ndërthurje të aksionit opozitar, me vazhdimin e qëndresës opozitare, denoncimit, të protestave, por edhe me shpalosjen e alternativës sonë, e planit tonë për të ndryshuar vendin, duke filluar me ndryshimin ekonomik, i cili do të jetë i prekshëm për të gjithë qytetarët, për sipërmarrësit, për të punësuarit, për fermerët, për të rinjtë e papunë që kërkojnë punë, sigurinë e punës për ata që kanë vende pune, por nuk e dinë në do t’i kenë nesër apo jo”, tha Basha. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.