Porti i Durrësit/ Në 6 muaj u përpunuan 5308 kontejnerë më shumë sesa 1 vit më parë

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Në periudhën janar-qershor 2019 në Terminalin përkatës të Portit të Durrësit janë përpunuar 94 anije të specializuara për transport kontejnerësh.

Në Terminalin e Kontejnerëve në portin e Durrësit në 6 muajt e parë të këtij viti janë përpunuar në total 70.483 njësi kontejnerike.

Në Sektorin e Statistikave në Autoritetin Portual Durrës, mësohet se shifra e këtij 6-mujori është 5308 njësi më e lartë se sa ajo e regjistruar në fund të 6-mujorit 2018.

Shifra më të larta janë shënuar edhe në përpunimin e kontejnerëve nga importi dhe për eksport. Nga i njëjti burim, mësohet se numri i kontejnerëve për eksport dhe nga importi është thuajse i njëjtë, mbi 35 mijë njësi në secilin drejtim.

Sipas statistikave portuale, që nga viti 2013 numri i kontejnerëve të përpunuar në portin më të madh të vendit ka pësuar një rritje të ndjeshme.

/m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.