Nisin hetimet për shkarkimin e Metës, Komisioni: Ekspertë të huaj në proces

TIRANË, 15 korrik /ATSH – I. Vata/ – Komisioni hetimor parlamentar i ngritur për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, ka prezantuar sot planin e hetimit paraprak, ku përveç thirrjes së Presidentit në Komision Hetimor si detyrim ligjor, është miratuar dhe propozimi i ekspertëve vendas dhe të huaj në procesin e hetimit, si dhe marrja e një opinioni nga Komisioni Venecias.

Me 9 vota pro, komisioni hetimor parlamentar për shkarkimin e Presidentit miratoi sekretaren e komisionit, Klotilda Bushka  për marrjen e një opinioni nga Komisioni i Venecias për shkeljet e Kushtetutës nga Presidentit si dhe miratoi po me 9 vota pro planin paraprak të hetimit

Bashkërelatori, Alket Hyseni u shpreh e rregullorja thotë se e thërret detyrimisht Presidentin në Komisionin Hetimor.

Nga ana e tij, për procedurë, anëtari i komisionit hetimor i opozitës, Adriatik Alimadhi tha se “e shoh të nevojshme certifikatën e sigurisë për anëtarët e komisionit hetimor, pasi nesër kur kjo dosje t’i kalojë Gjykatës Kushtetuese mund të jetë një element shumë i dobishëm edhe mund ta kërkojnë gjatë shqyrtimit. Komisioni duhet të nisë kërkesat për të pajisur anëtarët e komisionit me certifikatën e sigurisë”.

“Duke qenë se kemi tre dekrete të Presidentit dhe objekti kryesor i këtij komisioni është hetimi i Presidentit për shkeljen e Kushtetutës, thelbi në këtë rast është shkelja e Kushtetutës, por me dekretin për zgjedhjet”, – shtoi ai.

Nga ana e tij, bashkërelatori, Alket Hyseni tha se në bazën ligjore të këtij komisioni propozimi i Alimadhit është i pranueshëm, pasi hapësira e hetimit është e gjerë.

Edhe kryetari i komisionit, Ulsi Manja tha se çdo anëtar duhet të ketë certifikatën e sigurisë.

“Natyrisht se në procedurën e punës së një komisioni hetimor parlamentar, patjetër që do të zbatohen rregullat për informacionin sekret shtetëror dhe secili nga anëtarët do të jetë i pajisur me certifikatë sigurie, por kjo nuk e pengon ecurinë e punës së komisionit”, tha ai

Nga ana e tij, bashkërelatori Halit Valteri tha se të gjitha pikat e planit  paraprak të hetimit janë në rregull, përjashtuar një pikë që duhet të ishte në planin paraprak hetimor, marrja e një ekspertizë.

“Një ekspertizë profesionale është e nevojshme dhe nëse është e mundur, përveç ekspertëve tanë profesional, mirë është të ketë edhe ekspert të huaj. Por mendimi im është të kemi ekspertë jashtë ndikimit të politikës dhe mirë do të ishte një ekspert i huaj”, tha Valteri.

Manja propozoi që në planin e hetimit të shtohet edhe Kodi i procedurës Penale.

“Plani paraprak i hetimit të presidentit është i ndarë në tre krerë, por unë propozoj së në planin e hetimit të shtohet edhe Kodi i procedurës Penale sepse ligji për komisionet hetimore thotë se rregullat e punës së komisioneve hetimore, zbatojnë edhe rregullat e parashikuar në Kodit të Procedurës Penale si dhe çdo akt i tjetër ligjor në fuqi që ka ka lidhje dhe qartëson punën e komisionit hetimor”, tha ai.

Komisioni ra dakord që propozimi i Alimadhit për Kodin Zgjedhore të bëhet pjesë e hetimit të komisionit.

Nga ana e tij, deputeti Fino tha se s’duhet të kemi parasysh se ky është një plan paraprak hetimi.

“Ne paraprakisht po i japim dritën jeshile komisionit për të filluar hetimin dhe gjatë gjithë kësaj kohe ne kemi të drejtë të bëjmë propozime, sugjerime të nevojshme që mund të na diktojë koha. Ne shumë shpejt do të miratojmë një plan përfundimtarë të hetimit”, tha ai.

Për sa i përket propozimit të bashkë-relatorit Valteri për praninë e ekspertëve në komision, Fino tha “se ne bëjmë shumë mirë që e caktojmë në rregullore pjesëmarrjen e ekspertëve vendas dhe të huaj dhe që nga ky moment automatikisht, mendoj se kjo duhet të jetë pjesë e planit paraprak të hetimit dhe mendoj të shtohet”.

Alimadhi tha se të gjitha këto që kërkohen duhet të jenë të sakta sepse për procedurë nuk na e fal njeri që të gabojmë.

“Mendoj të shtonim diçka këtu në lidhje me Komisionin Qendrorë të Zgjedhjeve ne lidhje me marrjen e vendimit për dekretin e presidenti. Mënyrën se si e ka trajtuar KQZ dekretin e presidentit nga ana ligjore”, tha ai.

Propozimi i Alimadhi u miratua me konsensus nga anëtarët e komisionit që të shtohet si pikë edhe rasti i KQZ.

Manja tha se ne nuk na kufizon ligji si Komision Hetimor që të marrim nga institucionet çdo të dhënë zyrtare nga çdo institucion në lidhje me objektin e hetimit dhe këtu bënë pjesë dhe KQZ.

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.