Ndryshimet në bashki, Lleshaj: Prefektët të konstituojnë këshillat, punonjësit nuk kanë pse të kenë frikë

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ – Të gjitha strukturat e prefekturave do të jenë në punë gjatë gushtit, pasi ky është muaj vendimtar për të përmbushur procesin e konstituimit të gjithë strukturave të pushtetit vendor. Pushimet do t’i fillojnë pas datës 1 shtator 2019.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj mblodhi të hënën prefektët e 12 qarqeve të vendit për të kërkuar impenjim maksimal në këtë moment të rëndësishëm tranzicioni në krye të disa Bashkive të vendit.

Gjatë fjalës së tij, ministri Lleshaj u shpreh se prefektët do të kenë mundësi të marrin pushimet për vitin 2019 vetëm pas datës 1 shtator. “Takimin e sotëm e zhvillojmë në vijim të punës që duhet të kryhet nga të gjitha strukturat e prefekturave për të vijuar procesin dhe procedurat që kanë të bëjnë me konstituimin e organeve të reja të qeverisjes vendore. Ky është një proces që meriton angazhim maksimal nga të gjitha strukturat e administratës vendore e qendrore. Ka një rëndësi të madhe vijimi i punës së administratës vendore në këtë periudhë tranzicioni”, – tha Lleshaj.

“Në krye të punës duhet të jenë prefekturat, që do të nisin pushimet pas datës 1 shtator. I njëjti mesazh vlen dhe për strukturat e tjera të bashkive, ku s’ kam fuqi urdhri, por që kam fuqi ti kërkoj të kenë angazhim maksimale në këtë periudhë tranzicioni”, – tha Lleshaj.

Ministri kujtoi punonjësit e bashkive ku do të ketë ndryshim të drejtuesve lokal, se punonjësit nuk kanë pse të kenë frikë për vendin e punës.

“Kam dhe një mesazh të qartë për administratën bashkive, s’ka asnjë arsye për t’u trembur në këtë tranzicion. Ne s’kemi ndërmend që ndryshimi i kryetarëve të shoqërohet me tërmet administrativ, siç ka ndodhur në të shkuarën nga disa drejtues lokalë. Çdo punonjës i bashkive duhet të kuptojë se vijimin e punës, apo ndërprerjen e marrëdhënieve të punës e ka vetë ai në dorë, nëse zbaton ligjin, nuk ka pse të largohet nga puna”, – garantoi Lleshaj.

“Prefektët kanë një rol thelbësor në konstituimin e këshillave dhe kryetarëve të rinj të bashkive. Duhet të bëhet dorëzimi i detyrës përmes akteve, ku sqarohet se çfarë pune është bërë dhe çfarë është lënë ende pa u kryer”, – tha Lleshaj.

“Zyrat janë të shtetit dhe nuk janë të askujt, të gjithë jemi të përkohshëm dhe kohën na e përcakton ligji, dhe në rastin e të zgjedhurve vendorë e ka përcaktuar vetë Kushtetuta. Nëse ne të tjerët rrimë në bazë të ligjeve dhe akteve, në rastin që flasim e ka përcaktuar vetë Kushtetuta. Ne urojmë që askush të mos çmendet për të zaptuar zyra që nuk i takojnë. Mandati është 4 vite i dhënë nga Kushtetuta, ndërkohë që në 30 Qershor kanë ndodhur zgjedhje të certifikuara nga të gjithë. Uroj që të mos kemi situata të kësaj natyre dhe njerëz të caktuar të mos dalin nga binarët ligjorë”, – tha ai.

“Pas përfundimit të konstituimit të organeve të zgjedhura të pushtetit vendor duhet nga prefektët të merren të gjitha masat. Në këtë proces shumë të rëndësishëm, Prefektët kanë një rol kyç. Me sa po shohim, procesi do të ketë ndërlikime për arsye të ankimeve, proceseve gjyqësore, kontestimeve, por ligji parashikon disa momente të qarta kur hyjnë në rolin e tyre prefektët. Kjo ka të bërë me konstituimin e këshillave, pasi të jenë marrë të gjitha vendimet gjyqësore, në përfundim të tyre duke respektuar Kushtetutën që përcakton mandatin, të organizojnë punën për të bërë konstituimin e organeve të reja, që do të bëhet sipas ligjit me masat që parashikon ligji”, – tha ai.

“Kushdo që dorëzon detyrën ta dorëzojë me dinjitet dhe ai që e merr ta marrë me dinjitetin e nevojshëm. Duhet komunikim mes stafeve që dorëzojnë dhe atyre që marrin detyrën. Që tani në moderimin e prefektëve të vendosin kontakte që procesi të ndodhë i rregullt, i organizuar dhe qytetar që të arrihet që të përcillen mesazhet duhura. Duhen akte dorëzimi dhe marrje në të gjithë bashkitë. Nuk mund të presim perfeksion në këtë punë, por qëllimi do të jetë ky”, – tha ai. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.