Miratimi i 2 ligjeve të Reformës në Drejtësi, Caka: Fuqizojnë institucionet e reja të bëjnë detyrën

TIRANË, 15 korrik /ATSH/ Merr fund bllokimi i dy projektligjeve të cilat i hapin rrugë implementimit të plotë të Reformës në Drejtësi dhe fuqizimit të institucioneve të reja.
Pas tre vitesh përpjekje intensive për të nxitur bashkëpunimin dhe konsensusin e opozitës, Komisioni i Ligjeve ka mundur t’i diskutojë dhe miratojë në parim nen për nen.
Ministria e Drejtësisë u përfaqësua në komision nga zëvendësministrja Fjoralba Caka, e cila theksoi se ndryshimi i tyre në pajtim me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, ka qenë kërkesë e vazhdueshme e Ministrisë së Drejtësisë për të shmangur problemet e krijuar nga boshllëqet ligjore që vinin nga shfuqizimi i pjesëve të veçanta.
Caka shprehu bindjen se këto dispozita jo vetëm do të plotësojnë vakuumin ligjor dhe do të jenë në pajtim me kërkesat e Gjykatës Kushtetuese, por edhe do të ndihmojnë institucionet e reja të drejtësisë në zbatimin e kompetencave që u kanë dhënë Kushtetuta dhe ligji.
Teksa bëri një rezyme të përgjithshme, ajo risolli edhe njëherë në vëmendje punën e bërë:
“Pavarësisht boshllëkut ligjor, Ministria e Drejtësisë ka shprehur vullnet në dërgimin e 12 rasteve për procedim disiplinor para KLD-së gjatë periudhës transitore.
Po kështu, pas krijimit të KLGJ, ministrja Etilda Gjonaj i ka rekomanduar publikisht KLGJ-së marrjen e masave disiplinore për gjyqtarë të caktuar që kanë vepruar haptazi në kundërshtim me ligjin.
Në veçanti, Ministria e Drejtësisë, si në grupin e punës ashtu edhe në qëndrimin e saj publik ka përkrahur emërimin e magjistratëve të diplomuar nga Shkolla e Magjistraturës dhe akomodimin me përparësi të tyre në sistemin e drejtësisë, me qëllim plotësimin në kohë të vakancave.
Sikurse është rregulluar edhe në dispozitën kalimtare të ligjit 96/2016, procesi i emërimit të kandidatëve të diplomuar në Shkollën e Magjistaturës, fazë që sipas ligjit është parësore, nuk do të ndërvaret nga përfundimi i procedurave të transferimit paralel dhe/ose të ngritjes në detyrë për magjistratët.
Paketa e ndryshimeve të dy ligjeve është në linjën e urdhërimeve të vendimit të GJK dhe për këtë arsye Ministria e Drejtësisë është shprehur dakord”, u theksua ndër të tjera në mbledhjen e Ligjeve.
Ndër të tjera, kreu i komisionit Ulsi Manja teksa vlerësoi vullnetin e Ministrisë së Drejtësisë, siguroi se mazhoranca është e hapur që me mbështetje të ndërkombëtarëve të korrigjojë ligje të posaçme të reformës.
“Mbetemi të hapur për bashkëpunim të mëtejshëm edhe sa i përket ndryshimeve në ligjeve të tjera të reformës në drejtësi që do t’i diktojë nevoja e zbatimit praktik të zbatimit të ligjeve”, u shpreh Manja.
Pritet që në seancën plenare të ditës së enjte këto dy projekt ligje të hidhen për votim për të marrë 84 votat e nevojshme. Me ndryshimet e 22 neneve, Parlamenti i hap rrugë KLGJ dhe KLP marrjen e  masave disiplinore për gjyqtarët dhe prokurorët.

e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.