TIRANË, 14 korrik /ATSH/ Fletët e votimit për Bashkinë Vau i Dejës në zgjedhjet e 30 qershorit janë prodhuar në Slloveni. Në përgjigje të akuzave të PD-së, anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Bledar Skënderi sqaroi se deklaratat janë të rreme dhe se dokumentet vërtetojnë që votime në Vaun e Dejës janë bërë konform ligjit.
Një ditë më parë, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi tha se në Vaun e Dejës është votuar me fletë votimi të falsifikuara.
“Po ju paraqes disa dokumente që vërtetojnë se fletët e votimit për Bashkinë Vau i Dejës janë prodhuar në Slloveni. Pas djegies së KZAZ në dt 27.06.2019 është kontaktuar direkt me kompaninë sllovene. Fletët e votimit janë prodhuar paraditen e dt.28.06.2019”, tha anëtari i KQZ-së, Bledar Skënderi.
Në dokumentet e sjella prej tij duket se transporti është kryer në datën 29 qershor. Fletët e votimit kanë kaluar pikën e kalimit kufitar rreth orës 1-1.30., të mëngjesit të datës 30 qershor. Punonjësit tanë kanë pritur dhe dorëzuar fletët në KZAZ. Shpërndarja e gjithë bazës materiale për KQV ka mbaruar para orës 6.
“Të gjitha Qendrat e Votimit kanë qenë të hapura në orën 7.00., sipas dispozitave të Kodit Zgjedhor! Nesër do publikojmë dhe vërtetimin nga sistemi TIMS se kur ka kaluar makina në PKK Hani i Hotit”, sqaroi Skënderi. /j.p/