“Phenomenal Global Woman” për Linda Ramën në Londër: Ia dedikoj nënave dhe gjysheve, por edhe bashkëshortit, zërit më të fuqishëm në promovimin e ekselencës së gruas

TIRANË, 14 korrik /ATSH/ Linda Rama merr çmim në Londër dhe ia dedikon mamave dhe gjysheve, por nuk e harron një fjali për bashkëshortin

“Ndihem thellësisht e prekur, e nderuar dhe e privilegjuar që jam këtu me ju sonte. Fenomenale… në fakt e vërtetë, gratë janë fenomenale. Ky çmim i kushtohet të gjithave, por në veçanti nënave dhe gjysheve të brezit tim. Gra të jashtëzakonshme që kanë bërë sakrifica sublime në dy periudha historike: gjatë diktaturës komuniste dhe tranzicionit shumëvjetor”.

Kështu u shpreh bashkëshortja e kryeministrit, Linda Rama gjatë marrjes së çmimit në Samitin Ndërkombëtar të Grave në Londër ku mori pjesë dhe mbajti një fjalim të gjatë.

“Secila prej tyre është fenomenale. Veç të tjerash, dua të bëj një dedikim të veçantë që më buron nga zemra”, tha Linda Rama, me  trofeun në dorë ku shkruhej dhe përshkrimi “Phenomenal Global Ëoman”.

Linda Rama përveç dedikimit për të gjitha grave shqiptare që janë fenomenale, bëri edhe një dedikim të veçantë për bashkëshortin Edi Rama për të cilin thotë se ka arsye të jetë krenare kur vjen puna tek gratë shqiptare.

“Për bashkëshortin tim, zëri më i fuqishëm në promovimin e ekselencës së gruas, mbështetësi më i zellshëm i gruas, si kryebashkiak, si kryetar i partisë politike më të madhe në vend dhe si kryeministër. Faleminderit Edi, jam shumë krenare për ty!”, tha Linda Rama.

Bashkëshortja e Kryeministrit Rama, Linda Rama ishte e pranishme në Samitin Ndërkombëtar të Grave në Londër, ku mbajti një fjalim të gjatë dedikuar temës së barazisë gjinore.

Në fjalën e saj, zonja Rama u ndal gjerësisht te politikat e suksesshme, që kanë prodhuar një shoqëri më të barabartë midis dy gjinive në Shqipëri .

Gjithashtu, zonja Rama ndau me të pranishmet pjesëmarrëse në këtë Samit edhe momente shumë të veçanta nga jeta e saj familjare. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.