Basha takohet me delegacionin e komitetit Amerikano-Hebraik

TIRANË, 14 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti sot delegacionin e Komitetit Amerikano- Hebraik ACJ, të kryesuar nga Drejtori Ekzekutiv, David Harris, në një takim, që e cilësoi të përzemërt dhe shumë miqësor.

“I shpreha  Harris mirënjohjen për mbështetjen e çmuar ndër vite të Shteteve të Bashkuara për demokracinë dhe liritë civile dhe politike të qytetarëve shqiptarë si dhe domosdoshmërinë për ta vazhduar betejën në këtë orë të errët në Shqipëri, për vlerat dhe parimet themelore të zgjedhjeve të lira, barazisë para ligjit dhe ndarjes dhe kontrollit të pushteteve”, tha Basha.

“I sigurova miqtë amerikanë se në vend të heshtjes apo dorëzimit para modelit të dështuar të despotizmit lindor, korrupsionit dhe shkatërrimit të lirisë dhe demokracisë, ne do të vazhdojmë pa kompromis me standardet europiane dhe amerikane, betejën tonë deri në triumfin e vlerave të përbashkëta perëndimore të lirisë, demokracisë dhe mundësive për çdo shqiptar”, theksoi kryetari i Partisë Demokratike për këtë takim. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.