“Nderi i Kombit” Gjergj Vlashi feston sot 91-vjetorin e lindjes

TIRANË, 13 korrik/ATSH/- Regjisori, shkrimtari dhe përkthyesi Gjergj Vlashi sot feston 91-vjetorin e lindjes. Artisti i mirënjohur nga Durrësi vazhdon të jetë produktiv duke sfiduar moshën.

Libri “Madhështia e tragjedisë” i autorit spanjoll Quim Monzo i përkthyer nga Gjergj Vlashi u publikua para disa muajsh nga shtëpia botuese “Ombra GVG”. Edhe vitin e kaluar Gjergj Vlashi i prezantoi lexuesve dy romanet “Netët e një qyteti” dhe “Vika” botuar në Kosovë, si dhe përkthimin e romanit për të rinj të nobelistit Patrik Modiano me titull “Katerine Sertityd”.

I nderuar me titujt e lartë “Nderi i Kombit”, “Artist i Popullit” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës” Gjergj Vlashi është mjaft i njohur si themelues i Varietesë dhe regjisor i Estradës së Durrësit në vitin 1960, ndërsa ka botuar rreth 50 vepra në letërsi origjinale, përkthime dhe komedi.

Njohës i disa gjuhëve të huaja Gjergj Vlashi ka sjellë në gjuhën shqipe një varg botimesh me përkthime nga autorë të njohur si Franz Kafka, Jose Saramago, Agata Kristi, Dino Buxati, shkrimtarë rusë, italianë, austriakë, spanjollë, portugezë dhe hispanoamerikanë të shekullit XX, etj.

Librat e tij janë botuar edhe në Kosovë dhe në Itali. Regjisori i shquar i varietesë jeton mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Spanjës dhe Durrësit, qytetit të tij të lindjes./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.