Linda Rama në Samitin Ndërkombëtar të Grave në Londër: Ka tri dekada që investohet që ju të jeni të parat, koha të ktheni borxhin

TIRANË, 13 korrik/ATSH/- Bashkëshortja e Kryeministrit Edi Rama, Linda Rama ka qenë e pranishme në Samitin Ndërkombëtar të Grave në Londër, në fokus të të cilit ishte pikërisht fuqizimi i rolit të grave në shoqëri.

Në fjalimin e saj, Linda Rama ka sjellë shembullin e Shqipërisë, për të treguar që sot gratë janë më të arsimuara dhe mbajnë disa nga postet më të larta në institucionet kryesore në Shqipëri.

Duke folur në cilësinë e një kërkueseje, aktivisteje dhe profesionisteje në fushën e ekonomisë, zonja Rama renditi disa prej treguesve më pozitivë të avancimit të të drejtave të grave në vendin tonë.

“Gratë shqiptare nuk kanë qenë kurrë kaq të edukuara sa në ditët e sotme. Në brezin e mamave tona, vetëm 5% e grave kishin edukim të lartë. Sot, të dhënat flasin për 6-fish më shumë vajza dhe gra me arsim të lartë midis moshës 25-39 vjeç. Sot që flasim, Shqipëria është një ndër ato vende që e ka zhdukur plotësisht pabarazinë gjinore në aksesin në arsimin e detyrueshëm, çka bën të besosh se brenda pak kohësh, edhe hendeku që ekziston në arsimin dytësor do të jetë zhdukur plotësisht. Numri i vajzave që ndjekin arsim të lartë sot është shumë më i lartë se ai i bashkëmoshatarëve të tyre meshkuj”, theksoi ndër të tjera zonja Rama.

Në tri dekadat e fundit ajo thotë se nuk është bërë pak për vendosjen në front të parë të grave dhe madje i përmend të gjitha një e nga një, që nga Kryeprokurorja Arta Marku, Avokatja e Popullit, ministret gra, kryetaret e bashkive gra.

“30% e deputetëve në Parlament sot janë gra, 50% e përfaqësuesve në këshillat bashkiakë të vendit janë gra, 50% e anëtarëve të kabinetit qeveritar janë gra, të cilat aktualisht drejtojnë edhe sektorë që kurrë më parë nuk i ishin besuar gruas. Energjetika dhe infrastruktura sot kanë një Ministre grua, po ashtu Financat dhe Ekonomia. Gra janë edhe ministret e Mbrojtjes, Drejtësisë, Arsimit, Shëndetësisë, Kulturës e të Marrëdhënieve me Parlamentin. Avokatja e Popullit është grua, Prokurorja e Përgjithshme është grua, Kryetarja e Kolegjit të Lartë të Gjyqësorit është grua, po kështu Kryetarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të gjykatësve e prokurorëve, është grua. Gra janë edhe Kryetarja e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, grua është edhe drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, po kështu edhe Drejtuesja e Prokurorisë më të madhe në vend, ajo e Rrethit Gjyqësor të Tiranës”, u shpreh zonja Rama.

47% e zëvendësministrave, 40% e institucioneve qendrore dhe 45% e drejtorive të Përgjithshme drejtohen nga gra, tha ajo, duke shtuar se edhe 30% e administratorëve dhe të pronarëve të biznesit privat janë gra. Dhe më shumë se 40% e pozicioneve në linjën e parë të menaxhimit në kompanitë private janë gra”.

Më tej, Linda Rama u shpreh se “kjo tërësi domethënëse vajzash dhe grash që qëndron në majën e arkitekturës institucionale pa dyshim që është produkt i një kapaciteti të ri shoqëror e politik për të vlerësuar meritën, por edhe për të theksuar nevojën e gruas në vendimmarrje. Ky kapacitet i ri, është krijuar falë një investimi të gjatë, të vështirë dhe të vazhdueshëm, në të gjitha betejat aspak te lehta zhvillimore dhe emancipuese; përpjekje të nisura më pak se tre dekada më parë, nga baza e aktivizmit civil, për vendosjen e kuotave gjinore në politikë dhe për rritjen e përfaqësimit të gruas në administrimin publik”.

“Por besoj se ky kapacitet i ri është edhe produkt i një integriteti të dallueshëm dhe një këmbënguljeje të admirueshme, të vajzave e të grave, falë ndër të tjera edhe dy faktorëve kyçë: Nënave që s’kanë dashur thjesht të trashëgojnë në paqe statusin social që kanë pasur vetë, po kanë luftuar që vajzat e tyre, t’i kërkojnë më shumë të nesërmes në raport me pozitën gjinore. Dhe e dyta, mësueseve, të cilat duke qenë më së shumti gra, na kanë mësuar se për gruan është më kritike se për të tjerët të dijë të llogaritë kostot e ardhshme të vendimeve të sotme”, nënvizoi zonja Rama.

“Do të ishte jo vetëm e dëshirueshme, po në një farë mënyre edhe një lloj borxhi për t’u paguar që gratë që sot qëndrojnë në nivelet më të larta të përfaqësimit politik dhe të përfaqësimit në administratën e lartë publike ose në sektorin privat, t’i bënin vetes çdo ditë pyetjen: Çfarë kam bërë që politika, qeverisja, sipërmarrja private të jenë më të hapura dhe më miqësore për gratë dhe vajzat si unë? Çfarë mund dhe duhet të bëj konkretisht, për t’i krijuar më shumë mundësi grave dhe vajzave të shkolluara që kërkojnë të hapim dyert e tregut të punës? Çfarë ndihme mund të jap për të lehtësuar ato që gjenden nën presionin e dhunës në familje, për të përmirësuar kushtet e mëmësisë, për të shkëputur nga kthetrat e të shkuarës vajzat dhe për t’i drejtuar në klasa e auditorë? Çfarë hapash duhet të ndërmarr për të krijuar një shembull në stimulimin e shembujve të duhur?! Sot, gratë janë të pranishme më shumë se asnjëherë me pozicionet e tyre, por ndryshe nga ç’shpresohej vihet re se nuk është ende e pranishme ndjeshmëria e tyre ndaj problematikës gjinore. Shoqëria nuk ka ku e kërkon dhe as ku e gjen tjetër, veçse tek gratë që ushtrojnë pushtet vendimmarrës e disponojnë një platformë publike, energjinë e shtuar për një betejë sa themeltare e po aq të vështirë për të ardhmen e saj, siç është beteja për barazinë gjinore. Kush tjetër mund t’i japë forcën e duhur reagimit ndaj agresivitetit, vulgaritetit dhe dhunës verbale, që po rrezikojnë të kthehen në një normalitet të ri, epidemik, në mjedisin e ndërveprimit publik? Kush më mirë dhe kush në vend të tyre, mund të marrë iniciativën e udhëheqjes së zëshme e konkrete, të reagimit ndaj kërcënimit të këtij normaliteti të ri, ku shumica e vajzave e grave rrezikon të tkurret e të struket?”

Lidhur me këto pyetje, zonja Rama shprehet se “nuk kemi ku ta kërkojmë, veçse tek ato vetë në radhë të parë, forcën e shembullit kundër çdo lloj shantazhi, bulizmi e diskomforti në mjedisin social. Nuk kemi ku i kërkojmë veçse përmes vetë atyre, iniciativat për të lehtësuar mëmësinë, për të garantuar punësimin dhe mbështetjen në karrierë, për të garantuar drejtësinë deri në fund, për ushtruesit e dhunës ndaj gruas, mohuesit e të drejtave të gruas dhe denigruesit e figurës së gruas”.

“Ne presim prej tyre që t’i imponojnë me forcën e shembullit si standarde shoqërore, tolerancën ndaj tjetrit dhe solidaritetin për tjetrin; moslëshimin ndaj kujtdo që cenon tjetrin dhe mosnegocimin e respektit të domosdoshëm për njëri-tjetrin. Këtë borxh ndaj shoqërisë lipset ta kthejnë duke hapur perspektiva të reja, të qarta dhe të sigurta për gruan dhe duke kuruar me elegancë shëndetin e mjedisit social për më shumë tolerancë dhe respekt të ndërsjellë”, tha ndër të tjera Linda Rama. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.