Krifca: Bujtina në Lin, shembull i mbështetjes financiare të qeverisë për zhvillimin e agroturizmit

AZHBR ka bashkëfinancuar 65% të investimit në 17 qendra agroturistike në 14 muaj.

TIRANË, 13 korrik /ATSH/- Bujtina e Naum Bicit është një nga shtëpitë e shumta në fshatin Lin të Pogradecit, që po kthehet në qendër tërheqëse për turizmin, si pjesë e Programit të qeverisë “100 fshatrat”.

Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR), Frida Krifca, u shpreh gjatë takimit me banorë të fshatit Lin se, kjo bujtinë që prezantojmë sot, është një nga projektet që AZHBR ka mbështetur me financim, për përfundimin e plotë të saj, që Naumi e kishte nisur me shumë përkushtim.

“Ne kemi bërë një prekje të vogël këtu, në krahasim me përpjekjet që ka bërë Naumi për të rikthyer në identitet shtëpinë e prindërve të tij, që sot është një model bujtine, një investim i nisur këtu e 5 vite më parë. Sot Vila AS 43 është në booking ku prenotohet për akomodim miq nga brenda dhe jashtë vendit dhe sot dhomat janë të prenotuara të gjitha për periudhën korrik-gusht. Ndërkohë që vila ka një vlerësim maksimal nga booking në nivelin 9.4 që është vlerësimi më i mirë për hotelerinë”, – tha Krifca.

AZHBR është agjencia që nisi vjet të mbështesë zhvillimin rural me fokus ndaj agroturizmit dhe bujtina e Naumit është një ndër 17 qendrat e agroturizmit që AZHBR ka mbështetur në më pak se 14 muaj, nga projektimi, deri në investim.

Krifca i ftoi banorët e Linit të bëhen pjesë e programit mbështetës që ka qeveria në disa drejtime, si me fondet e IPARD, apo dhe të buxhetit të shtetit.

“Do të merrni mbështetje reale, që nuk është kredi, por është grant që shkon deri në 65% të vlerës së investimit, për investime në shumën deri në 400 mijë euro. Ne kemi hapur 20 agropika, por ju që jeni këtu mund ti drejtoheni agropikës në Pogradecit apo në Korçës për t’u informuar dhe aplikuar”, – tha ajo.

Ndërsa theksoi se, “jemi përpjekur të vijmë sa më afër jush dhe këto fonde t’i bëjmë të aksesueshme dhe t’i shohim në realitet, në investime të prekshme”. /e.xh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.