Investime në fshatin Lin për ta kthyer në model të suksesshëm

TIRANE, 13 korrik/ATSH/- Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Pogradeci se qeveria do të investojë për ta kthyer Linin në një model të suksesit transformues.

Rama tha se “me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, në kuadër të programit të “100 Fshatrave”, ne do të bëjmë disa ndërhyrje për ta thyer këtë fshat në një model të suksesshëm transformimi dhe sigurisht për ta bërë pjesë të një transformimi, që besoj do të ndodhë gjatë 4 viteve me kryetarin e ri të bashkisë së Pogradecit”.

Kreu i Ekzekutivit vuri në dukje se Pogradeci është një destinacion turistik, por goxha i dëmtuar në tërësi në vitet e tranzicionit, për shkak të shumë mangësive apo dhe shumë dëmtimeve që janë bërë dhe që pa diskutim ka një potencial të jashtëzakonshëm.

“Këtu kemi një aleat shumë të madh që është natyra e mrekullueshme dhe trashëgimia e pasur dhe na duhet vetëm të bashkërendojmë forcat në dy drejtime. Një drejtim ju për të bërë më shumë bujtina dhe në drejtimin tjetër, ne si qeveri me Fondin e Zhvillimit dhe bashkinë për për të zhvilluar më tutje infrastrukturën dhe gjitha ato elementë që janë të rëndësishëm për t’i dhënë një forcë tërheqëse shumë më të madhe këtij fshati duke bërë unifikime të karakterit të godinave, duke krijuar një sistem ndriçimi ashtu siç duhet, duke mbështetur edhe projekte të natyrave të ndryshme, që me siguri do të lindin gjatë këtij procesi”, – u shpreh Rama. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.